İlker Girit
01 Qershor 2017•Përditësim: 01 Qershor 2017
MOSKË (AA) – Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, ka deklaruar se organizata terroriste DEASH ka arritur marrëveshje me grupin terrorist PKK/PYD për tërheqjen nga qyteti i Rakas, që është bastioni më i madh i DEASH-it në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
"Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, terroristët e DEASH-it filluan të braktisin Rakan pa luftë dhe të tërhiqen drejt rajonit të Palmyras", tha Lavrov dhe shtoi se Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi këtë informacion mbi këtë marrëveshje.
Grupi PYD, dega siriane e organizatës terroriste PKK, mohoi këtë informacion.
Flota ruse dje nga Deti Mesdhe me katër raketa goditi pozitat e DEASH-it në lindje të Palmyras, ndërsa Lavrov tha se ai ishte sulm ndaj kontingjentit të terroristëve, që incizoi avioni rus gjatë fluturimit vëzhgues.
"Rusia edhe më tej do të marrë pjesë në mënyrë aktive në luftën kundër terroristëve të DEASH-it në rajonin e Sirisë", porositi Lavrov.
Duke iu referuar një burimi të paemëruar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, agjencia ruse TASS raporton se terroristët e DEASH-it dhe PKK/PYD-së që të shtunën kanë arritur marrëveshje për hapjen e korridorit jugor për tërheqjen e qetë të DEASH-it nga Raka drejt Palmyras.