Tolga Özgenç
26 Shkurt 2022•Përditësim: 27 Shkurt 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se do ta mbrojnë deri në fund Ukrainën dhe i bëri thirrje popullit rus që të kundërshtojë luftën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim drejtuar kombit, Zelensky theksoi se kanë qëndruar të fortë përballë sulmeve të armikut dhe se kanë zmbrapsur me sukses sulmet.
"Ne e dimë se mbrojmë atdheun tonë, territorin dhe fëmijët tanë. Kievi dhe qytetet kyçe përreth kryeqytetit kontrollohen nga ushtria jonë. Pushtuesit donin të bllokonin qendrën e shtetit tonë dhe të vendosnin atje kukullat e tyre, ashtu si në Donetsk. Ne i prishëm planet e tyre", deklaroi Zelensky i cili ka rikujtuar se në shumë rajone të vendit vazhdojnë luftimet.
Pasi vuri theksin se pushtuesit rusë kanë sulmuar me raketa dhe armë të rënda njësitë e banuara dhe se janë përpjekur të shkatërrojnë burimet e prodhimit të energjisë, Zelensky tha: "Kanë taktika shumë dinake. Ndërtesat e shkatërruara me raketa dhe topa janë argumenti i fundit që bota bashkë me ne të ndalojë pushtimin".
Zelensky tha se ndodhet në Kiev dhe porositi: "Do ta mbrojmë deri në fund Ukrainën ".
Ai i bëri thirrje popullit rus të kundërshtojë luftën dhe ftoi në vend të gjithë ata që duan të mbrojnë Ukrainën.