Ali Cura,Talha Yavuz
26 Shkurt 2022•Përditësim: 27 Shkurt 2022
Gjatë sulmit të Rusisë në Ukrainë, njësitë ushtarake ruse janë përleshur me forcat ukrainase gjatë gjithë natës në rrugët e kryeqytetit Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas paralajmërimit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky se nata do të kalonte e vështirë dhe se Kievi nuk duhej humbur, thuhet se shpërthimet dhe përleshjet janë dëgjuar deri në orët e mëngjesit në zonat e qytetit me lagje kryesisht të banueshme.
Në median sociale janë postuar video të bëra nga qytetarëve lidhur me pamjet e shpërthimeve dhe të shtënave me armë gjatë luftimeve mes ushtarëve rusë dhe forcave ukrainase ndërmjet lagjeve.
Në bulevardin "Fitorja" në hyrjen perëndimore të Kievit thuhet se njësitë ruse janë përpjekur të hyjnë në qytet përmes përleshjeve në rrugë.
Zyra për shtyp e Forcave Tokësore të Ukrainës ka njoftuar se është zmbrapsur sulmi ndaj njësisë ushtarake përreth bulevardit "Fitorja" dhe se që nga ora 04:08 me orën lokale situata është e qetë.
Të shtëna me armë janë dëgjuar edhe përreth stacionit të trenit
Krahas lagjes ku ndodhet stacioni i trenit, të shtëna me armë janë dëgjuar edhe në lagjen Troyeshçina në lindje të qytetit ku ndodhet termocentrali.
Po ashtu informohet se të shtëna me armë janë dëgjuar edhe në orët e para të mëngjesit në bulevardin "Bogdan Hmelnitski" që ndodhet në qendër të Kievit.
Në Vasylkiv kanë zbarkuar me parashutë një numër i madh ushtarësh rusë
Luftime intensive janë zhvilluar edhe në vendbanimin Vasylkiv në rajonin e Kievit.
Kryebashkiakja e rajonit Vasylkiv, Natalia Balasinovich në një deklaratë në kanalin "1+1" tha se një numër i madh ushtarësh rusë kanë zbarkuar me parashutë në rajon. Pasi ka informuar se në qytet ka luftime dhe se ushtarët rusë kanë sulmuar me raketa, Balasinovich vuri në dukje se ka të vdekur në mesin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se njësitë e zbarkimit ajror janë bashkuar me elementët në bazën ajrore Gostomel dhe se është ndërprerë lidhja e Kievit me pjesën perëndimore të tij.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes së saj ajrore kanë goditur avionin İl-76 që transportonte ushtarët parashutistë të njësive ruse të zbarkimit ajror në rajonin Vasylkiv i cili ndodhet rreth 35 kilometra larg qendrës së qytetit të Kievit.