Ömer Tuğrul Çam
03 Qershor 2022•Përditësim: 03 Qershor 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se 20 për qind e vendit të tij ndodhet nën kontrollin e pushtuesve rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zelenskyy në një fjalim duke u lidhur nëpërmjet video-konferencës në Parlamentin e Luksemburgut deklaroi se ushtria ruse që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës më 24 shkurt e deri më tani ka hyrë në 3.620 vendbanime dhe se 1.017 prej tyre janë çliruar.
"Që nga sot 20 për qind e territorit tonë ndodhet nën kontrollin e pushtuesve. Dhe kjo përkon me afërsisht 125 mijë kilometra katrorë", tha Zelenskyy.
Duke informuar se në Ukrainë një territor prej 300 mijë kilometra katrorë është i mbushur me mina dhe bomba të pashpërthyera, Zelenskyy theksoi se 12 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit dhe se mbi 5 milionë njerëz, shumica gra dhe fëmijë kanë dalë jashtë vendit.
Ai njoftoi se për të gjithë në Evropë do të fillojnë periudha të errëta nëse Rusia del fitimtare në këtë luftë. "Nëse e fitojmë ne këtë luftë, evropianët do të mund të vazhdojnë të jetojnë lirinë e tyre", deklaroi presidenti ukrainas.
"Që nga fillimi i luftës në periudhën 99 ditëshe që ka kaluar humbën jetën mijëra persona", tha Zelenskyy i cili bëri të ditur se për këtë arsye duan mbështetjen e të gjithë botës për t'i dhënë fund luftës.