Sayed Khodaberdi Sadat
28 Shtator 2019•Përditësim: 29 Shtator 2019
Në Afganistan sot ka filluar procesi i votimit për presidentin e ri të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Procesi i votimit për zgjedhjet presidenciale ku garojnë 15 kandidatë ka filluar që në orët e para të mëngjesit në vendin ku janë të regjistruar 9.6 milionë votues.
Kryeshefi ekzekutiv, Abdullah Abdullah dhe presidenti aktual Ashraf Ghani, i cili ka marrë mbështetjen e liderëve dhe grupeve dominuese në vend shihen si më favoritët në mesin e 15 kandidatëve që garojnë për postin e kreut të shtetit.
Në vendin ku zgjedhjet presidenciale mbahen për herë të katërt pas rrëzimit të talebanëve në vitin 2001, janë marrë masa të jashtëzakonshme të sigurisë kundër kërcënimeve të talebanëve.
Në këtë proces ka votuar edhe Ghani
Presidenti aktual dhe kandidati presidencial Ghani, në një deklaratë për gazetarët pas votimit në shkollën e mesme "Amani" në kryeqytetin Kabul tha se pjesëmarrja në zgjedhje do të thotë respekt ndaj demokracisë dhe se për këtë arsye të gjithë qytetarët duhet të votojnë.
"Nuk do të lejohet kurrë që në zgjedhje të bëhet korrupsion", tha Ghani duke shtuar se uron që zgjedhjet të zhvillohen pa probleme dhe të jenë të qeta.
Ai ka theksuar se të gjithë kandidatët duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve që zhvillohen me vullnetin e popullit.
Kërcënimi i talebanëve
Ministria afgane e Mbrojtjes ka njoftuar se në të gjithë vendin do të zhvillohen zgjedhje në 34 rajone ndërsa Komisioni i Pavarur Zgjedhor deklaroi se në dhjetëra zona të kontrolluara nga talebanët nuk do të mbahen zgjedhjet.
Sipas shifrave jozyrtare, nën kontrollin e talebanëve ndodhen mbi 40 komuna në rajonet si Sar-i Pul, Xhuzcan, Farjab, Belh, Kunduz, Baglan, Tahar, Herat, Gor, Badgis, Helmand, ndërsa mbi 100 prej tyre janë nën kërcënimin e talebanëve.
Ndërkohë që një e treta e vendvotimeve nuk do të mund jenë në funksion për shkak të kërcënimit të talebanëve.