Ekip
28 Korrik 2022•Përditësim: 28 Korrik 2022
Zjarri i madh që shpërtheu në kufirin gjermano-çek dhe vazhdon të përhapet, po kërcënon të shkatërrojë parkun e njohur turistik kombëtar të pyllëzuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zjarri në rajonin e quajtur "Zvicra Bohemiane" në anën çeke dhe parku kombëtar i Sanksonisë Zvicerane në pjesën gjermane, i cili shpërtheu në fundjavë, dukej se ishte nën kontroll, por u përhap përsëri herët të enjten, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Qindra zjarrfikës në të dyja anët e kufirit dhe me ndihmën e Polonisë dhe Sllovakisë fqinje po luftojnë me flakët ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan turistët të qëndronin larg.
Rreth 250 hektarë pyje aktualisht po digjen ndërsa 8 helikopterë zjarrfikës po ndihmojnë në shuarjen e flakëve.
Një tjetër zjarr i madh pyjor në qarkun Elbe-Elster në shtetin lindor gjerman të Brandenburgut mori hov sërish të mërkurën në mbrëmje.
Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir të mërkurën mbrëma tha se qeveria do të ndihmojë në luftën kundër zjarreve dhe përgëzoi shërbimet që tashmë po punojnë për shuarjen e tyre. Ushtria gjermane ka dërguar disa helikopterë ushtarakë në të dy zjarret për të mbështetur njësitë lokale.
"Forcat e emergjencës tashmë po bëjnë një punë të shkëlqyer këtu", tha Özdemir.
Lufta kundër zjarrit në Brandenburg është komplikuar më tej, sepse disa zona janë të kontaminuara me municione të Luftës së Dytë Botërore dhe mund të shuhen vetëm nga ajri me helikopterë. Hyrja në këto zona është shumë e rrezikshme për zjarrfikësit pasi municionet e vjetra të ndikuara nga nxehtësia ose nga njerëzit që shkelin mbi to mund të shpërthejnë në çdo moment.