Ekip
15 Shtator 2021•Përditësim: 16 Shtator 2021
Bashkimi Evropian do të mbajë vitin e ardhshëm një Samit mbi Mbrojtjen Evropiane, "meqë është koha për të ecur drejt Mbrojtjes së Bashkimit Evropian", tha presidentja e Komisionit Evropian në fjalimin e saj mbi gjendjen e Unionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, Ursula von der Leyen vlerësoi vitin e kaluar dhe potencoi prioritetet kryesore të organit ekzekutiv të BE-së për 12 muajt e ardhshëm.
Në dritën e misionit të bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan që përfundoi "aq papritur", Von der Leyen theksoi nevojën për Mbrojtjen e Bashkimit Evropian.
"Ajo që na ka penguar deri më tani nuk është vetëm mungesa e kapaciteteve, por është mungesa e vullnetit politik", tha ajo, duke propozuar tri linja veprimesh për të zhvilluar mbrojtjen e bllokut.
Von der Leyen sugjeroi bllokun të krijojë Qendrën e vet të Ndërgjegjësimit për Situatën e Përbashkët për të ndihmuar vendimet e bazuara dhe për të hequr dorë nga TVSH (taksa e vlerës së shtuar) kur blihen pajisje ushtarake të prodhuara nga BE-ja.
Ajo gjithashtu premtoi se organi ekzekutiv i BE-së do të propozojë së shpejti rekomandimet e tij mbi politikën mbi mbrojtjen kibernetike, duke përfshirë një Akt të ri Evropian të Rezistencës Kibernetike.
“Pra, ne mund të bëjmë shumë në nivelin e BE-së. Por edhe vendet anëtare duhet të bëjnë më shumë", tha ajo, duke njoftuar se vitin e ardhshëm do të organizojë një Samit mbi Mbrojtjen Evropiane së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron.
"Koha është që Evropa të kalojë në nivelin tjetër", tha Von der Leyen.
Në të njëjtën kohë, ajo konfirmoi angazhimin e bllokut për mbrojtjen transatlantike dhe zbuloi se do të punojë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për të bërë një deklaratë të re të përbashkët BE-NATO deri në fund të këtij viti.
Në gusht, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell mbështeti krijimin e një ushtrie të BE-së me 5.000 trupa të reagimit të shpejtë, si një nga mësimet kryesore të nxjerra nga kriza në Afganistan.
Ministrat e BE-së do të diskutojnë në detaje planet për forcën e reagimit të shpejtë të BE-së, të quajtur zyrtarisht "Initial Entry Force", gjatë takimit të tyre të ardhshëm në nëntor.