Ekip
27 Qershor 2016•Përditësim: 28 Qershor 2016
LONDËR (AA) - Zyrtarët gjermanë dhe francezë shprehen se Britania e Madhe "sa më shpejt të jetë e mundur" të fillojë procesin e largimit nga Bashkimi Evropian (BE), ashtu siç kanë përcaktuar shumica e votuesve të atij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioneri i Gjermanisë për Bashkimin Evropian, Gunter Oettinger i ka bërë thirrje Britanisë që të "sqarojë qëllimet e saj të mëtejshme", pasi votuesit e këtij vendi vendosën për Brexit. Ai shtoi se "nuk mund të imagjinohet që qeveria të tërheqë një vendim të tillë".
Kryeministri britanik, David Cameron në deklaratën për dorëheqjen, tha se duhet të pritet disa muaj para se vendi i tij të largohet nga blloku i vendeve evropiane, ndërkohë që shumë udhëheqës evropianë bëjnë thirrje që procesi i largimit të Britanisë nga BE-ja të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Oettinger sot duke folur për radion gjermane Deutschlandfunk tha se Partia Konservatore e Britanisë duhet të marrë hapat e ardhshëm. "Çdo ditë e re është dekurajuese, investitorët nga e gjithë bota janë të dekurajuar që të investojnë në Britani dhe është luhatur besimi i tyre ndaj Evropës. Referendumi megjithatë ka autoritet të madh, pa marrë parasysh që dikush mund të jetë shqetësuar", tha Oettinger.

Të njëjtin mendim ndan edhe ministri francez i Financave, Michel Sapin, i cili thekson se Britania "sa më shpejt të jetë e mundur" duhet të largohet nga BE-ja.
"A duhet Britania të dalë shpejt nga BE-ja? Po, sigurisht. Franca, sikur Gjermania, mendon se britanikët thanë fjalën e tyre, votuan Brexit-in dhe tani ky proces duhet të vihet në procedurë", tha Sapin duke folur për televizionin francez France-2.
Sipas tij, autoritetet evropiane nuk duhet të lejojnë që Britania të jetë në një "pozicion të paqartë", si dhe rreth statusit i cili do të "diskutohet më vonë".