Elena Teslova
05 Prill 2022•Përditësim: 05 Prill 2022
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pamet e videove nga qyteti ukrainas Bucha i ka quajtur një “shfaqje tragjike” e organizuar për të dëmtuar ushtrinë ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se çdo akuzë kundër ushtrisë ruse është e pabazë.
“Ne këmbëngulim se çdo akuzë kundër palës ruse, kundër ushtrisë ruse nuk është thjeshtë e pabazë, por është edhe një shfaqje e drejtuar mirë, asgjë tjetër. Një shfaqje tragjike”, tha Peskov.
Peskov theksoi se rrjedha e ngjarjeve, të dhënat, faktet dhe parametrat e tjerë tregojnë qartë se videoja është e rreme dhe synon të dëmtojë ushtrinë ruse.
Ai shtoi se mund të shfaqen falsifikime të reja, duke cituar një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me videon e re të inskenuar në disa vendbanime të Ukrainës.
“Ne edhe një herë kërkojmë, duke shfrytëzuar këtë rast, u bëjmë thirrje, para së gjithash anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, liderëve të vendeve perëndimore, që të abstraktohen nga perceptimi emocional, i cili nuk bazohet në asgjë. Thjeshtë mendoni në kokën tuaj dhe përpiquni të krahasoni faktet për të kuptuar se për çfarë llojë falsifikimi monstruoz po flasim”, tha Peskov.
Ai theksoi se “zyrtarët amerikanë vazhdojnë të kundërshtojnë njëri-tjetrin”, duke iu referuar deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili akuzoi Rusinë për krime lufte në Bucha, si dhe komentet kontradiktore të Pentagonit për këtë çështje.
Peskov gjithashtu shprehu keqardhje që Perëndimi nuk i vëren argumentet e Rusisë, duke theksuar se Perëndimi mbylli sytë dhe veshët, ndërsa Moska do të vazhdojë të shpjegojë qëndrimin e saj.
Për një hetim lidhur me ngjarjet në Bucha, Peskov tha se duhet të jetë i paanshëm dhe se në situatën aktuale vështirë se është e mundur një gjë e tillë.
Më tej, zëdhënësi i Kremlinit kritikoi dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet evropiane, duke theksuar se veprime të tilla do të komplikojnë më tej komunikimet.
Sa i përket sanksioneve të reja, Peskov tha se Rusia është e vetëdijshme se ato po vijnë pasi “amerikanët vështirë se do të heqin dorë nga kjo praktikë e preferuar”.
Në një deklaratë tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se qendra kryesore e Ukrainës për operacionet psikologjike organizoi një tjetër video me “civilë të vrarë” në vendbanimin Moschun të rajonit të Kievit.
Konashenkov po ashtu theksoi se ngjarje të ngjashme tani organizohen edhe nga shërbimet speciale të Ukrainës në Sumy, Konotop dhe qytete të tjera.
Më 24 shkurt, Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës, e cila është përballur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.480 civilë janë vrarë dhe rreth 2.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.2 milionë ukrainasë po ashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë rreth 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.