Dejan Maksimoviç
22 Tetor 2015•Përditësim: 23 Tetor 2015
SARAJEVË (AA) – Në dy ditët e ardhshme në bibliotekën e Gazi-husrev Beut në Sarajevë do të mbahet takimi i mbi 60 kompanive nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Ky është takimi i parë i këtij lloji që nga viti 2008 dhe futjes së regjimit të vizave nga BeH-ja për qytetarët kosovarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dyja palët në takim, i cili është pjesë e nismës rajonale për bisedime të hapura (Open Talks Iniciative), duan të dërgojnë mesazh të qartë se heqja e regjimit të vizave do t'iu lehtësonte ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik.
Të dhënat tregojnë se me heqjen e regjimit të vizave do të rritej ndjeshëm shkëmbimi tregtar ndërmjet BeH-së dhe Kosovës. Këtë e konfirmoi edhe Mirsad Jasharspahiç, nënkryetari i Odës Ekonomike të Federatës së BeH-së, i cili është një nga organizatorët e takimit dyditor.
"Kam sjellë me vete një diagram që tregon të gjitha. Aty shihet pika e thyerjes kur nga eksportuesi stabil në Kosovë, BeH-ja e cila në vendin e dhjetë në të gjitha segmentet bie në vendin e katërt. Në bazë ditore biznesmenët e vendit tonë humbin rreth një milionë euro. Ky është një treg me dy milionë njerëz i cili ndodhet para hundës sonë dhe është e mundshme ta humbasim, nëse vazhdon kështu", theksoi Jasharspahiç.
Ai theksoi se hulumtimet që kanë kryer tregojnë se mbi 50 kompani nga Kosova, të cilat aktualisht bashkëpunojnë me kompanitë nga BeH-ja, do t'i zëvendësonin me partnerët e tjerë të biznesit.
"Të gjitha vendet në rajon kanë rritur eksportin e tyre në Kosovë, vetëm në BeH është zvogëluar. Një nga arsyet kryesore është regjimi i komplikuar i vizave, sepse vështirë organizohen takimet ndërmjet partnerëve të biznesit", paralajmëroi Jasharspahiç.
Ai ka theksuar se BeH-ja vetëm me Kosovën ka patur suficit në krahasim me të gjitha vendet e CEFTA-s.
"Është absurde që ndaj një shtetit të tillë të krijojmë pengesa, prandaj po bëjmë pëpjekje që gjërat të lëvizin në drejtim të kundërt. Në Kosovë eksportojmë në të gjitha apsektet e industrisë, kështu që do të punonim kundër vetes nëse nuk do të lehtësonim lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Duam që bashkarisht të shkruajmë një shkresë për të bërë presion më të madh ndaj autoriteteve të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve. Fakti që Serbia, e cila ka marrëdhëniet më të komplikuara me Kosovën, lejon që kufiri të kalohet me kartë identiteti tregon shumë. Për këtë arsye më së shumti rritet eksporti nga Serbia dhe vendet e tjera, dhe bie nga BeH-ja", theksoi Jasharspahiç.
Ai vuri në dukje se e kanë informuar për aktivitetet e tyre Ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Çështjeve Ekonomike të BeH-së, Mirko Sharoviç, dhe se ai i ka mbështetur. Kërkojmë, thekson, të gjetet modeli, "sepse shteti mund ta bëjë nëse dëshiron, ashtu siç e gjeti edhe Serbia."
Reflektime të ngjashme kanë edhe biznesmenët nga Kosova, të cilëve marrja e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën u krijon probleme të mëdha në biznes.
Avni Krasniqi nga kompania Delfin LTF nga Prishtina meret me logjistikë, ndërsa në BeH bashkëpunon me dy kompanitë. Ashtu si biznesmenët e tjerë edhe ai në punën e tij përballet me probleme të mëdha. Fakti që për qytetarët nga Kosova është më lehtë të marrin vizën amerikane se vizën për BeH-së sipas tij tregon të gjitha.
"Jemi importuesi i përgjithshëm i Meggle-s për Kosovë, dhe punojmë me Klas-in nga Sarajeva. Marrëdhëniet e deritanishme të biznesit me BeH-në janë varur shumë nga organet shtetërore. Përballemi me shumë çka që na vështirëson punën, veçanërisht pasi të gjithë i përkasim një rajoni dhe deri dje ishim praktikisht një treg. Nuk dimë pse ndodhë e gjithë kjo dhe pse nuk hiqen këto ndalime, dhe të krijohen marrëdhëniet e biznesit", ka thënë Krasniqi.
Ai tha se disa herë kanë patur probleme me marrjen e lejes nga agjencitë që merren me mbikëqyrjen e ushqimit dhe prodhimeve me origjinë shtazore.
"Ka ndodhur që edhe një tjetër prodhues nga Kosova kërkoi leje për eksportin e qumështit dhe kjo çoi në ndalimin e importim të prodhimeve të tilla për dy muaj. Kjo na shkaktoi humbje të mëdha. Jo vetëm neve, por edhe eksportuesit nga BeH. Është edhe më vështirë tani që ka reciprocitet në shkëmbim tregtar dhe kur janë futur vizat", tha Krasniqi.
Mbi 60 përfaqësues të kompanive më të mëdha të BeH-së dhe Kosovës do të marrin pjesë në takimin dy-ditor gjatë të cilit biznismenët do të miratojnë Deklaratën të cilën do t'ua dërgojnë qeverive të tyre kërkesën për heqjen e regjimit të vizave i cili shkakton dëm të madh për ekonominë e të dyja vendeve.