Övünç Kutlu
21 Mars 2022•Përditësim: 22 Mars 2022
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Christine Lagarde tha sot se elemente të stagflacionit nuk janë parë ende në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Stagflacioni ndodh kur inflacioni dhe papunësia mbeten të larta, ndërsa rritja ekonomike ngadalësohet.
Inflacioni vjetor i konsumatorit në eurozonë shënoi një rritje të re duke arritur në 5,9 për qind në shkurt, ndërsa çmimet e konsumit në BE gjithashtu u rritën me 6,2 për qind në bazë vjetore.
BQE, nga ana tjetër, nuk i ka rritur ende normat e interesit pavarësisht inflacionit të lartë rekord.
Duke folur në Institutin Montaigne me qendër në Paris, Christine Lagarde tha se politikat monetare të BQE-së nuk do të jenë në sinkronizim me Rezervën Federale të SHBA-së.
Komentet e saj erdhën pasi Fed javën e kaluar rriti normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, duke shënuar rritjen e saj të parë të normës që nga dhjetori 2018. Banka qendrore e SHBA-së sinjalizoi gjithashtu se mund të bëjë gjashtë rritje shtesë të normës këtë vit.
Lagarde vuri në dukje gjithashtu se politikat për të luftuar ndryshimet klimatike pritet të jenë deflacioniste në afat të gjatë, por ato mund të rrisin inflacionin në afat të mesëm.