İdiris Okuduci
24 Nëntor 2021•Përditësim: 25 Nëntor 2021
Pavarësisht formimit të qeverisë në Liban, e cila po përballet me krizën ekonomike, ulja e vlerës së monedhës vendase ndaj dollarit vazhdon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dollari theu një rekord të ri në tregun e zi, duke kaluar në mbi 24.000 lira libaneze.
Presidenti libanez, Michel Aoun, mbajti një takim me ministrin e Financave, Yousuf al-Khalil, dhe guvernatorin e Bankës Qendrore, Riyadh Salame, në kohën e rritjes rekord të kursit të këmbimit.
Në deklaratën me shkrim të presidencës, thuhet se në takim është diskutuar zgjidhja e problemeve aktuale ekonomike.
Në deklaratë nuk jepen detaje të tjera lidhur me takimin.
Pavarësisht rritjes së kursit të këmbimit në Liban, 1 dollar amerikan llogaritet ende mbi 3.900 lira libaneze në banka dhe institucione zyrtare.
Megjithatë, të gjitha këmbimoret në vend tregtojnë me çmimin aktual në tregun e zi.
Pasi Najib Mikati formoi qeverinë në Liban më 10 shtator, 1 dollar amerikan ra nga 22.000 lira në 14.000 lira.
Pavarësisht krijimit të qeverisë dhe rifillimit të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar, zhvlerësimi i lirës libaneze nuk u arrit të shmanget.
Kriza ekonomike në Liban
Libani është duke luftuar me një krizë të rëndë ekonomike, veçanërisht që nga viti 2019.
Problemi i likuiditetit të dollarit në Bankën Qendrore dhe shkrirja e rezervave valutore çuan në shpërthimin e krizave të tjera të rënda në vend.
Lira libaneze u zhvlerësua deri në 90 për qind kundrejt dollarit amerikan dhe inflacioni u rrit me 700 për qind në vend, sipas të dhënave jozyrtare.
Në raportin e vlerësimit të publikuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) më 1 korrik, thuhet se më shumë se gjysma e libanezëve jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe se kushtet e tyre të jetesës janë edhe më të këqija se sa gjatë luftës civile të viteve 1975-1990.
Sipas Komisionit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për Azinë Perëndimore, që nga viti 2021, 74 për qind e popullsisë libaneze vuan nga varfëria.
Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2020, të ardhurat vjetore për person në Liban ranë nga 8.000 dollarë në nën 3.000 dollarë pas krizës.