Ivana Ramadanova
16 Shkurt 2016•Përditësim: 17 Shkurt 2016
SHKUP (АА) – Lufta kundër korrupsionit, morali pagesor dhe integrimet në BE janë tre kushtet kryesore për të pasur një biznes të suksesshëm, por fatkeqësisht Maqedonia nuk ju kushton vëmendje të veçantë. Ky ishte konstatimi i hulumtimit të tretë rreth klimës së biznesit që e zbaton Njësia për Tregti që vepron në kuadër të ambasadës së Austrisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas hulumtimit afaristët nuk janë të kënaqur nga niveli i ulët për sa i përket qasjes së Maqedonisë në këto tre parakushte për biznes të suksesshëm.
"Kjo është hera e tretë që ne pyesim komunitetin austriak të biznesit për pikëpamjet e tyre mbi gjendjen ekonomike në Maqedoni. Për fat të keq, një e katërta e tyre janë në përgjithësi pesimistë sa i përket vitit 2016 krahasuar me vitin paraprak. Gjysma e tyre planifikon të punësojnë njerëz të rinj, megjithatë, çështja numër një për kompanitë austriake është stabiliteti politik dhe për këtë arsye, ata e ndjekin me kujdes zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni", tha Gerhard Schlattl, atasheu tregtar i Austrisë në Maqedoni.
Përveç problemeve të lartpërmendura, afaristët kanë vërejtje edhe për infrastrukturën, sistemin doganor, situatën ekologjike si dhe për qasjen te resurset njerëzore.
Drejtori i EVN-së Maqedoni, Shtefan Peter, njëherësh kryetar i Këshillit për Investitorë të Huaj, sqaron se viti 2015 ka qenë i vështirë për ekonominë e Maqedonisë. “Rritja e BPV për 3,5 përqind është tregues i mirë krahasuar me disa shtete të Evropës. Turbulencat në disa tregje ndikuan në bizneset në Maqedoni disa nga të cilat stagnuan. Nga ky shkak, nevojitet një strategji e mirë zhvillimore për të tejkaluar këtë situatë” tha ai.
Sipas hulumtimit 485 nga kompanitë presin rritje të qarkullimit në vitin 2016, 40 përqind planifikojnë punësime të reja dhe mbi 30 përqind planifikojnë të rrisin investimet.