Aysu Biçer
14 Tetor 2020•Përditësim: 14 Tetor 2020
Prodhimi industrial në Bashkimin Evropian u tkurr me 6.2 për qind në gusht krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi sot Zyra statistikore e bllokut, transmeton Anadolu Agency (AA)
Prodhimi industrial sezonal u rrit me 1 për qind krahasuar me muajin e fundit, i cili pa një rritje prej 4.9 për qind, duke shënuar një ngadalësim të rimëkëmbjes.
Kjo rritje u nxit nga relaksimi i masave të kufizimit kundër COVID-19 në shumë vende të bllokut.
Prodhimi i mallrave kapitale ra me 12.3 për qind, mallrat e ndërmjetëm me 4.6 për qind, energjia me 4 për qind dhe mallrat e konsumit jo të qëndrueshëm me 3 për qind ndërsa prodhimi i mallrave të qëndrueshme të konsumit u rrit me 5.5 për qind.
Rënie më të madhe të prodhimit industrial u regjistrua në Luksemburg (-15.8 për qind), e pasuar nga Gjermania (-11.2 për qind) dhe Franca (-7.3 për qind).
Rritje janë regjistruar në Portugali dhe Lituani (me nga 2.1 për qind) si dhe në Poloni (1.3 për qind).