Övünç Kutlu
18 Dhjetor 2020•Përditësim: 18 Dhjetor 2020
SHBA-ja po përgatitet të vendosë në listën e zezë dhjetëra kompani kineze, përfshirë prodhuesin më të madh kinez Semiconductor Manufacturing International Corporation (SMIC), bëri të ditur sot Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rreth 80 kompani, nga të cilat shumica janë kineze, do të shtohen në listën e zezë për arsye të sigurisë kombëtare, duke u mohuar atyre hyrjen në teknologjinë amerikane.
"Këto janë kompani që janë të lidhura me Ushtrinë Çlirimtare Popullore", dekalroi Ross për "Fox Business", duke shtuar se: "Kjo ka të bëjë me qasjen e tyre në produkte gjysmëpërçues shumë të përparuara".
Lista tashmë përfshin afërsisht 700 kompani, ku 296 prej tyre janë kompani kineze si Huawei ndërsa 150 kompanitë tjera janë të lidhura me Huawei.
SMIC është prodhuesi më i madh i mikroçipave në Kinë dhe furnizues i madh për kompanitë e teknologjisë, përfshirë Qualcomm dhe Broadcom që janë aktivë në komunikimet mobile dhe teknologjinë 5G.
Lista e zezë do të "sigurojë që Kina, përmes kampionit të saj kombëtar SMIC, të mos jetë në gjendje të përdorë teknologjitë e SHBA-së për të mundësuar nivele të përparuara indigjene të teknologjisë për të mbështetur aktivitetet e saj destabilizuese ushtarake", tha Ross.
Që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump është përfshirë në një konflikt tregtar me Kinën, të drejtat e pronës intelektuale, komunikimi 5G dhe transferimi i teknologjisë kanë qenë tema kryesore dhe të pazgjidhura midis Washingtonit dhe Pekinit.