Bekim Laci
05 tetor 2016•Përditësim: 06 tetor 2016
SHKUP (AA) - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë në Shkup, ka filluar konferenca rajonale njëditore “Republika e Maqedonisë – 10 vjet në CEFTA”, e cila shënon kontributin e vendit në suaza të zbatimit të programit me ndikim të gjerë që korrespondon me dhjetë vjetorin e nënshkrimit të CEFTA-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Ngjarjen e sotme e hapi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi i cili në cilësi të nikoqirit tha se në vitet e fundit nga zbatimi i i kësaj marrëveshjeje ekziston një interaksion i madh që lidhet me strategjinë Evropa Juglindore 2020 e cila mundëson perspektivë më të mirë për rajonin në tërësi.
Sipas Kuçit, qëllimi i marrëveshjes së CEFTA-s është lehtësimi i proceseve për anëtarësim të shteteve të CEFTA-s në Bashkimin Evropian si dhe intensifikimin e tregtisë në tregjet e BE-së.
“Në drejtim të kësaj flet edhe fakti se nga eksporti i përgjithshëm i Maqedonisë në botë në vitin 2015, 81 përqind është realizuar në vendet e BE-së ndërsa 12 për qind në shtetet e Ballkanit. Tek importet 63 përqind është nga BE-ja ndërsa rreth 10 përqind nga Ballkani. Në shtatë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar është shënuar rritje e eksportit në vendet e CEFTA-s me 5.4 përqind dhe rritje të importit për 2.9 përqind”, deklaroi Kuçi, sipas të cilit, në mesin e njëzet shteteve të para me të cilat vendi ka shkëmbim tregtar dy janë nga CEFTA, Kosova dhe Serbia.
Sipas Kuçit, në suaza të CEFTA-s është arritur liberalizim i plotë i tregtisë me produkte bujqësore që do të thotë tregti pa dogana.
Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi në paraqitjen e tij në konferencë tha se vendet e Ballkanit ndajnë vlera të përbashkëta dhe se këmbimi i të njëjtave do të mundësojë prezantim më të mirë të interesave tona politike dhe ekonomike në hapësirën e madhe evropiane.
“Bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit rrit konkurrentshmërinë e ekonomisë sonë dhe e përgatitë atë për përballje me presionin nga konkurrenca në BE. Si rrjedhojë, pjesëmarrja jonë aktive në trupat e CEFTA-s është në harmoni me prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për atërasim në BE”, tha Ademi për të shtuar se bashkëpunimi rajonal tregtar në korniza të CEFTA-s është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse rrit vëllimin e përgjithshëm të shkëmbimit tregtar.
Në konferencën e sotme po marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik në vend, në mesin e të cilëve edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, Fatos Reka dhe Ylber Hysa si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit.
Ngjarje siç është kjo e sotmja në Shkup, mbahen edhe në shtete të tjera anëtare të CEFTA-s me qëllim të rishikimit të rëndësisë së saj si një pronë rajonale.
Me rastin e shënimit të këtij jubileu, në kuadër të CEFTA-s do të përgatitet një broshurë e përbashkët “Mite dhe fakte për CEFTA-n”.