Övünç Kutlu
06 Dhjetor 2019•Përditësim: 06 Dhjetor 2019
Takimi i shumëpritur i 177-të i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) mbrëmë vonë ka përfunduar pa ndonjë konkluzion ose marrëveshje të mundshme, pasi ministrat u larguan me nxitim pa u përgjigjur në shumicën e pyetjeve nga media, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i organizatës, i mbyllur për media, filloi me mbi dy orë vonesë dhe përfundoi pas pothuajse gjashtë orëve.
Ministrat e Energjisë dhe të Naftës së vendeve anëtare të OPEC-ut nuk arritën në një marrëveshje për zgjatjen e shkurtimit aktual të prodhimit të naftës ose thellimit të saj.
Konferenca për media që ishte planifikuar të mbahet pas të gjitha takimeve ministrore të OPEC-ut u anulua ndërsa më herët para takimit të tyre, gazetarëve nuk iu lejua të bëjnë pyetje për ministrat e OPEC-ut.
Ministri i Enegjisë i Arabisë Saudite, Princi Abdulaziz bin Salman dha pjesën më të madhe të komenteve për gazetarët, por përgjigjja e tij ishte e shkurtër pa ndonjë strategji përfundimtare në lidhje me atë që OPEC do të bënte për të mbështetur çmimet e naftës.
“Ne nuk mund të themi se kemi një marrëveshje derisa të takohemi me kolegët tanë jo anëtarë të OPEC-ut”, tha bin Salman.
Megjithatë, i pyetur nëse ekziston një marrëveshje midis anëtarëve të OPEC-ut, bin Salman u përgjigj shkurt duke theksuar “sigurisht”.
Dhjetë vendet prodhuese të naftës jo anëtare të OPEC-ut, përfshirë Rusinë, do të takohen sot me vendet anëtare të OPEC-ut në Vjenë.
Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, më herët u tha gazetarëve se për tremujorin e parë të vitit 2020 OPEC-u është këshilluar të ul nivelin e prodhimit të naftës me 500 mijë fuçi në ditë.