Nuran Erkul Kaya
09 Dhjetor 2019•Përditësim: 09 Dhjetor 2019
Tubacioni Trans-Adriatik (TAP) do të jetë i gatshëm të shpërndajë gazin e parë komercial nga fusha e gazit Shah Deniz 2 në Azerbajxhan në tetor 2020, ka thënë shefi për punë të jashtme i TAP-it Vugar Veysalov, në një intervistë për Anadolu Agency (AA).
TAP është pjesa evropiane e projektit 40 miliardë dollarësh të Korridorit të Gazit Jugor, i cili përfshin fushën Shah Deniz - 2, Gazsjellësin e Kaukazit Jugor dhe Tubacionin e Gazit Natyror Trans Anatolian (TANAP).
Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia, Bullgaria, Greqia, Shqipëria dhe Italia janë vende të përfshira në projektin e korridorit të gazit me gjatësi 3.500 kilometra.
Tubacioni Trans-Anadolian furnizon me gaz azerbajxhanas Turqinë, nga ku shkon në TAP në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. Prandaj TAP konsiderohet një projekt shumë domethënës për diversifikimin e burimeve evropiane të gazit.
Me një ceremoni solemne në Ipsala, në kufirin turko-grek, TANAP, shtrirja më e gjatë e Korridorit të Gazit Jugor, e lidhur zyrtarisht me Evropën më 30 nëntor, me çka edhe zyrtarisht filloi dërgesat e gazit nga Azerbajxhani në Evropë.
Veysalov, tha se "për sa i përket avancimit të përgjithshëm, rreth 90,5 për qind e projektit ka përfunduar, duke përfshirë punët inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin".
Ai gjithashtu vuri në dukje se një projekt me vlerë 4,5 miliardë euro ishte planifikuar në tetor 2020 të shpërndajë gazin e parë komercial nga fusha e gazit Shah Deniz.
Aksionarët brenda TAP janë BP, SOCAR dhe Snam, secili me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Fluxys ka 19 për qind të aksioneve, Enagas 16 dhe Axpo 5 për qind.
TANAP, me një kapacitet prej 16 miliardë metra kub, do të dërgojë në Turqi gjashtë miliardë metra kub gaz, ndërsa 10 miliardët e tjerë do të shpërndahen në Evropë përmes TAP.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë ceremonisë në Ipsala tha se kapaciteti i projektit TANAP më vonë do të rritet në 24 miliardë metra kub dhe më pas në 31 miliardë.
Duke sqaruar përparimin e bërë, Veysalov tha se nga mesi i nëntorit të këtij viti, më shumë se 99 për qind e tubave janë shtruar dhe mbushur tashmë, ndërsa janë kryer mbi 99 për qind të punëve në tre vendet pritës, Greqi, Shqipëri dhe Itali.
Me 26 nëntor, tubacioni filloi të japë gazin e parë në një shtrirje dy kilometër tubacioni në Greqi midis lumit Evros dhe stacionit të kompresorëve Kipoi.
"Kjo është faza fillestare e procesit të vënies në punë të tubacionit, dhe qëllimi është të testojmë infrastrukturën për të siguruar që ajo të jetë plotësisht e sigurt dhe operacionale në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare dhe operacionale", njoftoi TAP.