Rauf Maltaş
26 Tetor 2021•Përditësim: 27 Tetor 2021
Göbeklitepe, lokaliteti arkeologjik i kurorëzuar si tempulli më i vjetër në botë, është kthyer në një destinacion të preferuar të turistëve në qytetin juglindor të Turqisë, Şanlıurfa.
Göbeklitepe u radhit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2018, ndërsa u zbulua në vitin 1963 kur studiues nga universitetet e Stambollit dhe Çikagos po punonin në vend.
"Şanlıurfa është një qytet i historisë, arkeologjisë dhe turizmit. Të qenit Fakti që Göbeklitepe është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ka kontribuar që Şanlıurfa të jetë një nga vendet më të njohura në botë", tha për Anadolu Agency (AA) kryetari i bashkisë metropolitane të Şanlıurfa-s, Zeynel Abidin Beyazgül.
Ai tha se Göbeklitepe është një nga destinacionet në Şanlıurfa që turistët vendas dhe të huaj duan ta eksplorojnë më shumë.
"Şanlıurfa do të vendosë rekorde të reja në periudhën e ardhshme për sa i përket pritjes së turistëve vendas dhe të huaj", tha ai.
Beyazgül tha se që nga përfshirja e lokalitetit arkeologjik në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, numri i vizitorëve nga jashtë po rritet çdo vit për shkak të misterit dhe sekreteve që presin të zgjidhen në Göbeklitepe, që përshkruhet si "pika zero në kohë".
"Şanlıurfa, që është pothuajse një muze i hapur, vazhdon të jetë qendër tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj me kuzhinën, vlerat kulturore dhe muzikën e saj, si dhe historinë e saj të lashtë", shtoi ai.
"Numri i vizitorëve do të arrijë miliona shumë shpejt pas pandemisë"
Müslüm Çoban, kreu i Dhomës Rajonale të Udhëheqësve Turistikë në Şanlıurfa, për AA tha se rreth 500.000 njerëz e vizituan qytetin në nëntë muajt e parë të këtij viti.
"Ne parashikojmë që numri i vizitorëve do të arrijë miliona shumë shpejt pas pandemisë", tha ai.
Ai shtoi se pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shpalli vitin 2019 "Viti i Göbeklitepe-s", numri i vizitorëve në këtë lokalitet u rrit ndjeshëm.
Çoban theksoi se megjithëse Şanlıurfa dhe Göbeklitepe nuk u vizituan nga numri i pritur të vizitorëve në vitin 2020 për shkak të pandemisë, me përpjekjet për normalizim, Göbeklitepe po tërheq vëmendjen e turistëve.
Rahime Yaşar, nënkryetarja e Shoqatës së Zhvillimit të Turizmit në Şanlıurfa, tha se "Göbeklitepe, veçanërisht gjatë pandemisë, është një nga vendet e rralla që mund t'u japë vizitorëve një frymë të freskët me natyrën dhe historinë e saj".
"Ne kemi tre vende në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga rajoni ynë, duke përfshirë Göbeklitepe-n. Për më tepër, shtatë vende të tjera janë në listën e pritjes", tha Yaşar.
Ajo gjithashtu tha se Göbeklitepe është gjithmonë në krye si destinacioni më i rëndësishëm për turistët.