Ivana Ramadanova
28 qershor 2016•Përditësim: 28 qershor 2016
SHKUP (AA) - Pas një ndërprerjeje prej disa ditësh, mbështetësit e të ashtuquajturit “Revolucioni i larmë” dhe lëvizjes “Protestoj”, sonte përsëri dolën për të protestuar nëpër rrugët e Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën moton “Një burrë shteti i vërtetë nuk kërcënon qytetarët” sonte protestuesit u tubuan para ndërtesës së Prokurorisë Speciale Publike në shenjë mbështetje për punën e saj, ndërsa më pas marshi protestues vazhdoi drejt ndërtesës së Parlamentit.
Objektivi i parë i protestuesve përsëri ishte Ministria e Drejtësisë të cilën anëtarë nga “Revolucioni i larmë” e sulmuan me bojë. Prej atje marshi vazhdoi drejt Parlamentit ku disa protestues mbajtën fjalime.
Ndërkohë kamionçina e cila udhëheq “Revolucionin e larmë” u ndalua në bulevardin “Koço Racin". Më pas protestuesit u drejtuan drejt shtëpisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ku u pritën nga forca të mëdha policore si pasojë e së cilës u ngritën tensionet, por nuk pati ndonjë përleshje.
Pas një proteste të shkurtër ata vazhduan drejt Parlamentit ku dhe mbaroi protesta e sotme e “Revolucionit të larmë”. Protestat në fjalë zgjasin prej 80 ditësh, ndërsa protestuesit shprehen se do të vazhdojnë edhe më tej, deri sa siç thonë ata, krimi nuk do të guxojë të kalojë para syve të qytetarëve.