Fatjon Cuka
13 Qershor 2016•Përditësim: 14 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Policia ka arrestuar kryetarin e dorëhequr të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pas urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, me akuzën e falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai është arrestuar sot pas verifikimeve në kuadër të ligjit "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i “Dekriminalizimit”. Konkretisht ai akuzohet për falsifikimin e dokumentit të vetëdeklarimit, ndërsa ndaj tij Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
"Nga ana e specialistëve të Komisariatit të Policisë Kavajë, u zbatua urdhri i Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, datë më 13.06.2016 e cila ka vendosur masën e sigurisë personale 'arrest me burg' për shtetasin Elvis Rroshi, 41 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale 'Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve'", thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.
Ndërkohë kujtojmë se në muajt e fundit Rroshi ka qenë shpesh objekt i akuzave të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ndërsa disa ditë më parë ai dha dorëheqjen nga posti i krybashkiakut, por më pas deklaroi se do të vazhdonte ta drejtonte përsëri bashkinë e Kavajës.
Rroshi është zgjedhur në krye të bashkisë së Kavajës në zgjedhjet që u mbajtën më 21 qershor të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialistë të Shqipërisë.