Adis Karaca
25 Janar 2016•Përditësim: 26 Janar 2016
SARAJEVË (AA) - Zyrtarët policorë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të Bosnjë e Hercegovinës sot në operacionin e koduar "Lutka2" në Haxhiçi kanë kapur personin me iniciale F.R. nën dyshimin se ka kryer vepër penale, sipas nenit 241, të Kodit Penal të BeH-së "pengim të punës së gjykatës", thuhet në deklaratën e SIPA-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Më parë, Prokuroria konfirmoi për arrestimin e Fahrudin Radonçiçit, pronarit të së përditshmes "Dnevni Avaz", dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të BeH-së.
"Aktualisht në vijim janë bastisjet e objekteve në tri lokacione në zonën e Sarajevës me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të sendeve që mund të shërbejnë si prova në procedurë të mëtejme. Këto aktivitete janë realizuar me urdhër të Gjykatës dhe Prokurorisë së BeH-së", thuhet në deklaratën e SIPA-s. Bastisjet janë duke vazhduar edhe në redaksinë e gazetës "Dnevni Avaz".
Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor të SIPA-s për shkak të trajtimit të mëtejshëm.