Fatjon Cuka
10 Mars 2016•Përditësim: 10 Mars 2016
TIRANË (AA) – Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme plenare është përfshirë nga debatet edhe në lidhje me krizën e refugjatëve dhe për mundësinë e përdorimit prej tyre të Shqipërisë si vend transit, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas deklaratave të deputetit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi, se Shqipëria nuk mund të mbyllë dyert për refugjatët dhe emigrantët që ikin nga rajonet e konflikteve, ka ardhur edhe reagimi i dy ministrave të kabinetit qeveritar, konkretisht ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe atij të jashtëm, Ditmir Bushati.
Tahiri gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ka përsëritur qëndrimin e tij, për krizën e refugjatëve, ku ka theksuar se kërkohet një zgjidhje europiane dhe që të jetë unike, sepse sipas tij asnjë vend nuk ia del dot i vetëm.
“Çështja e refugjatëve nga njëra ana i ka bërë thirrje shpirtit të bashkëpunimit solidar, nga ana tjetër ka treguar vështirësitë që kemi ne për të adresuar çështjet që prekin vendet tona. Asnjë vend nuk ia del dot i vetëm. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe pa ekuivok, për të gjetur bashkim brenda Evropës, pavarësisht kufijve, kemi kërkuar zgjidhja evropiane dhe që të jetë unike, që janë të përbashkëta për të gjitha vendet”-
Tahiri ka pohuar se me urdhër të kryeministrit, Edi Rama, institucionet shtetërore janë në koordinim në rast të një fluksi të mundshëm të refugjatëve.
Më pas ka mbajtur një fjalë në Kuvend, edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ku ka theksuar se asnjë vend i vetëm nuk mund të përballet me shqetësimet që vijnë nga kjo krizë.
“Shqipëria ka qenë koherente në vendimet që ka marrë. Një javë më parë kemi dëgjuar Mogherinin, (Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini,) se si është shprehur për këtë çështje. Mund të ju them se Shqipëria është vlerësuar për rolin e saj që luan në rajon për këtë cështje. Është mirë të ju referohemi fakteve siç janë dhe pastaj mund të bëjmë diskutime”- u shpreh Bushati.
Kryediplomati shqiptar ka shtuar se bashkëpunimi me Italinë ka filluar që me fillimin e këtij viti dhe ka shtuar se me Italinë është rënë dakord për një plan masash të përbashkëta mes dy vendeve, në mënyrë që ky fenomen të përballohet.
Ndërkohë alarmi për mundësinë e hyrjes së mundshme të refugjatëve të cilët ndodhen tashmë në vendin fqinjë, Greqi, ka sjellë kontrolle të shumta dhe punë intensive nga autoritetet shqiptare në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.