ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u shpreh se “Bashkëpunimi i Turqisë me Afrikën nuk është i kufizuar vetëm në diplomaci dhe tregti. Në arenën ndërkombëtare, ne jemi zotuar t’i rrisim interesat e shteteve të Afrikës”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në artikullin “Afrika: Vendi mik, bashkatdhetari dhe partneri i Turqisë”, publikuar në faqen e internetit në gjuhën angleze të Al Jazeera-s, Erdogan vuri në pah se Turqia dëshiron të jetë në bashkëpunim më të afërt me shtetet mike dhe aleate të Afrikës në fusha të ndryshme.
Presidenti Erdogan theksoi se me vizitat historike që figurat politike dhe biznesmenët nga Turqia i bëjnë në Ugandë, Kenia dhe Somali, do ta nxisin edhe më tej bashkëpunimin e afërt me aleatët e rajonit dhe do të përpiqen të gjejnë mundësi përfitimesh të përbashkëta.
Duke u shprehur se shumë njerëz në botë e barasvlerësojnë kontinentin e Afrikën me varfërinë ekstreme, luftimet e ashpra dhe pesimizmin, Erdogan shkruan se populli turk ka pikëpamje tjetër dhe se besojnë se Afrika meriton më të mirën.
- Tri avantazhe themelore-
Në artikullin e tij Erdogan theksoi se Afrika ka tri avantazhe themelore, duke vazhduar më tej sqarimin:
Së pari, kontinenti ka një popullsi të re dhe të gjallë në një kohë kur Evropa dhe pjesët tjera të botës janë në proces të plakjes shpejt. Nëse bota bashkëpunon me qeveritë lokale dhe kombëtare në rajon, ne mund të krijojmë shtigje për të rinjtë në mënyrë që të kenë ndikim pozitiv në komunitetet e tyre.
Gratë afrikane, po ashtu, kanë potencial për t'u bërë aktorë më aktivë në jetën ekonomike dhe sociale. Për më tepër, Afrika është një kontinent i bekuar me burime të shumta natyrore. Uganda dhe Kenia, në mesin e vendeve tjera, jo vetëm që kanë rezerva të mëdha të naftës, por edhe mjaft toka pjellore dhe reshje të rregullta. Për të qenë i qartë, pjesa tjetër e Afrikës nuk është ndryshe, edhe pse vitet e sundimit kolonial i privuan komunitetet lokale nga ajo që u përkiste. Nëse e mënjanon lakminë dhe përqendrohet në ndihmimin e popujve afrikanë, atëherë kontinenti mund të bëhet fuqi ekonomike.
Së fundi, populli i Afrikës ka një shpirt sipërmarrës që potencialisht mund ta zhvillojë kontinentin. Pavarësisht dekadave të kolonizimit dhe sfidave të ndryshme, kontinenti ka gjetur gjithmonë mënyra për të mbijetuar nëpërmjet inovacioneve. Ndërsa Afrika po merr një rol më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, kjo frymë e sipërmarrësisë do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme më të sigurt për brezat e ardhshëm.”
- Përpjekjet e Turqisë-
Duke potencuar se që nga viti 2002 Qeveria e Turqisë ka punuar intensivisht për të ndihmuar vendeve të Afrikës që t’i zbulojnë potencialet e tyre dhe të ndërmarrin hapa në drejtimin e duhur, Erdogan rikujtoi se në përpjekje për t’i ripërtërirë lidhjet e lëna pas dore me kontinentin, Turqia në vitin 2005 nisi iniciativën afrikane për bashkëpunim më të ngushtë me vendet mike dhe aleate në rajon.
Erdogan u shpreh se gjatë viteve të ardhshme Turqia vazhdoi të realizojë dy samite të partneritetit Turqi-Afrikë në Stamboll të Turqisë dhe Malabo të Guinesë Ekuatoriale dhe theksoi se këto evenimente nuk ishin vetëm mënyra e Turqisë për ta falënderuar popullin e Afrikës për pritjen e ngrohtë, por gjithashtu kishte kuptimin e ritheksimit partneritetit afatgjatë.
Erdogan, veçanërisht u shpreh se samitet në të vërtetë shënuan pikë kthese në marrëdhëniet e Turqisë me Afrikën.
- “Modeli i Turqisë i ndihmave humanitare është respekti i ndërsjellë”-
Në këtë artikull Erdogan shkroi: “Në të njëjtën kohë, zyrtarët turq dhe organizatat joqeveritare kanë punuar me komunitetet lokale për adresimin e problemeve emergjente. Me kalimin e viteve, modeli humanitar i Turqisë i përqendruar në zhvillim ka ndihmuar miliona njerëz, duke përfshirë mijëra në Somalinë e përfshirë nga thatësirat, që të ngrihet sërish në këmbë.
Që nga viti 2011, Somalia ka qenë një nga tre përfituesit kryesorë të ndihmës së Turqisë për zhvillim. Përpjekjet tona kanë vazhduar me përfundimin e Spitalit Turk-Somalez për Arsim dhe Hulumtime vitin e kaluar, objekti më i madh mjekësor në Afrikën Lindore. Si shenjë e përkushtimit të vazhdueshëm të Turqisë në të ardhmen e Somalisë, gjatë vizitës sime të ardhshme unë do ta përuroj ambasadën e re turke në Mogadishu, që është misioni më i madh diplomatik i Turqisë.
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), mbetet aktive në gjithë kontinentin dhe zbaton qindra projekte humanitare dhe zhvillimore për të siguruar kujdes shëndetësor më të mirë, për ta nxitur bujqësinë, për mbrojtjen e mjedisit dhe për ta lehtësuar tregtinë. Ndërkohë, më shumë se 4.500 studentë afrikanë vazhdojnë arsimimin e tyre në universitetet prestigjioze të Turqisë me bursa të qeverisë dhe organizatave joqeveritare. Ajo që e përbën zhvillimin turk dhe modelin e ndihmës humanitare është përqendrimi ynë në respektin e ndërsjellë.”
- Partneriteti më i thellë-
Duke theksuar se në vitet e fundit, marrëdhëniet dypalëshe të Turqisë me vendet afrikane janë përmirësuar, Erdogan u shpreh se “Një numër rekord vizitash zyrtare nga udhëheqësit turq dhe afrikanë na kanë ndihmuar të ndërtojmë lidhje më të forta me kontinentin, të nxisim partneritete të bazuara në barazi dhe t’u shërbejmë interesave të të dyja palëve.”
Më tej, Erdogan vazhdon: “Që kur mora detyrën e presidentit të Turqisë në gusht të vitit 2014, kam pasur kënaqësinë të vizitoj nëntë vende të Afrikës dhe të pres një numër të madh të udhëheqësve afrikanë në kuadër të vizitave dypalëshe dhe samiteve ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me Afrikën nuk ka qenë i kufizuar vetëm në vizita zyrtare. Gjatë dekadës së fundit, Turqia ka nënshkruar një numër traktatesh dhe ka nisur projekte të përbashkëta në tërë kontinentin për ta sfiduar hierarkinë tradicionale në mes të shfrytëzuesit dhe të shfrytëzuarit. Si shenjë e besimit tonë në Afrikë, Turkish Airlines mori vendim të guximshëm për të hyrë në tregun afrikan dhe shpejt e zgjeroi rrjetin e saj në 48 pika në gjithsej 32 vende.”
Erdogan shkruan se që nga viti 2000, tregtia e Turqisë me Afrikën Sub-Sahariane është rritur tetëfish për të arritur në 6 miliardë dollarë, ndërkohë që numri i ambasadave turke në gjithë kontinentin ka arritur në 34, gjë që përbën një rritje pesëfish, duke shtuar më tej se bashkëpunimi i Turqisë me Afrikën nuk është i kufizuar vetëm në diplomaci dhe tregti dhe se në arenën ndërkombëtare janë zotuar që t’i rrisin interesat e shteteve të Afrikës.
“Pas organizimit të Konferencës së Katërt të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më Pak të Zhvilluara në vitin 2011, Stambolli gjithashtu u bë skena për samitin të parë Botëror Humanitar javën e kaluar”, u shpreh presidenti Erdogan, duke theksuar më tej se meqë përfaqësues nga 173 vende, duke përfshirë 32 vende Sub-Sahariane, bashkuan forcat për ta reformuar sistemin humanitar ndërkombëtar së bashku me OJQ-të, vullnetarët dhe të mbijetuarit e krizave humanitare, samiti u dha shpresë miliona njerëzve në Afrikë dhe gjetiu.
- Bashkatdhetarë i Afrikës-
Në shkresën e tij, Erdogan shkroi se me padurim pret që të punojë më nga afër në fusha të ndryshme me vendet mike dhe aleate të Afrikës. Duke u shprehur se shumë vende afrikane, përfshirë Ugandën, Kenian dhe Somalinë, mbeten në vijat e frontit në luftën kundër vuajtjeve njerëzore përderisa vendet perëndimore harxhojë burimet e tyre për të ndërtuar mure të larta, rampa të sigurisë dhe për t’i ashpërsuar kufizimet në udhëtime, Erdogna më tutje shkruan:
“Kemi shpenzuar më shumë se 10 miliardë dollarë për të siguruar ndihma humanitare për tre milionë sirianë brenda kufijve tanë. Qeveria turke do të vazhdojë me ngritjen e vetëdijes kundrejt përpjekjeve të vendeve afrikane. Populli i Turqisë dhe Afrikës janë të bashkuar edhe në përvojat e tyre me terrorizmin. Si një vend që përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë terrorizmin, jostabilitetin rajonal dhe krizën e refugjatëve, ne mund të ndërlidhemi me gjendjen e vështirë në të cilën gjenden partnerët tanë si Uganda dhe Kenia. Duke shkuar përpara, ne zotohemi të punojmë me aleatët tanë afrikanë dhe miqtë më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit si dhe në çështje të tjera.”
- “Turqia është bashkudhëtar, bashkatdhetar dhe mik i Afrikës”-
Artikullin e tij, Erdogan e përfundoi si në vijim:
“Së fundi, Turqia do të marrë hapat e nevojshëm për ta nxitur sipërmarrësinë, e cila ka pasur ndikim pozitiv në ekonominë turke gjatë dekadës së kaluar. Tregu Artizanal dhe Kultura Shtëpisë e Afrikës, e cila ishte nisur në kryeqytetin turk Ankara me mbështetjen e bashkëshortes sime Emine Erdogan, përfaqëson një hap konkret për të gjeneruar të ardhura për sipërmarrës femra të Afrikës.
Në të ardhmen, ne shpresojmë t’i ndajmë përvojat tona sipërmarrëse me popullin e Afrikës. Bashkëpunimi në rritje ndërmjet Turqisë dhe Afrikës tregon se mund të realizohen shumë gjëra duke angazhuar partnerët në mënyrë të duhur dhe duke gjetur zgjidhje që i shërbejnë interesave të të dyja palëve. Ai gjithashtu dërgon një porosi të fortë në lidhje me potencialin e vërtetë të Afrikës në botë. Një nga proverbat e mia të preferuara afrikane është: 'Varfëri e vërtetë është mungesa e miqve.' Sot dhe përgjithmonë, Turqia do të jetë një mik, një bashkatdhetar dhe partner i Afrikës.”
news_share_descriptionsubscription_contact
