Sibel Uğurlu
01 Janar 2019•Përditësim: 02 Janar 2019
KILIS (AA) – Në Turqi 2.398 terroristë janë neutralizuar gjatë vitit 2018, në gjithsej 147 opeacione të mëdha anti-terrorizëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet turke përdorin fjalën "neutralizim" për terroristët e vrarë, të kapur apo që janë dorëzuar.
Shifrat e lartpërmendura janë konfirmuar nga ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, gjatë një vizite të tij trupave ushtarake në kufi me Sirinë.
Ministri tha se sulmet ajrore turke kanë shkatërruar 922 objektiva, depo municionesh dhe strehimore të cilat janë përdorur nga terroristët.
Pas vizitës që u’a bëri ushtarëve në kufi, Akar zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
"Keni bërë histori në qytetet Jarablus dhe Afrin të Sirisë, e di që ky proces do të vazhdojë njëjtë pas kësaj", tha Erdoğan.
Në dy vitet e kaluara, Turqia ka kryer me sukses dy operacione antiterroriste në Siri, “Mburoja e Eufratit”, dhe “Dega e Ullirit”, të cilat kishin në shënjestër të asgjësojnë praninë e terroristëve të YPG/PKK-së dhe DEASH-it nga kufijtë e Turqisë, ndërsa operacioni i tretë pritet të kryhet në lindje të lumit Eufrat.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave.