Dzihat Aliju
07 Shtator 2016•Përditësim: 07 Shtator 2016
SHKUP (AA) - Mbrëmë vonë janë gjetur pjesë të avionit të rrëzuar në afërsi të Katllanovës, gjegjësisht në fshatin Kozhle, ku mund të shiheshin rrënojat e avionit. Në vendngjarje ndodhen një numër i madh i forcave të policisë dhe ndihmës së shpejtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga policia thonë se informacione më të detajuara rreth rastit do të jepen pas shqyrtimit të plotë të aksidentit.
Rruga për në vendin ku u rrëzua avioni është pothuajse e pakalueshme, qasje kanë vetëm automjete të terrenit. Ekipet në terren njoftuan se rastin do ta hetojë Prokuroria Publike në mëngjes. Ngjarja është informuar dhe tek Komiteti i aksidenteve të aviacionit.
Aleksandar Veljanovski, një banor i fshatit Kozhle që ndodhet disa kilometra në afërsi të lokacionit ku ishte rrëzuar avioni, në deklaratën e tij për gazetarin e AA-së tregoi se në lidhje me rrëzimin e avionit është informuar nga televizioni.
Ai theksoi se para aksidentit ka qenë një mot i keq me shumë të reshura dhe se nuk shihej as 10 metra. "Menjëherë dëgjova një zë, por mendova se janë qentë. Por më pastaj në televizion e pashë që është rrëzuar një avion. Një herë u tha se avioni është rrëzuar në 'vetersko' e më pastaj këtu në Kozhle", tha banori i Kozhles.
Sipas tij, rruga për te vendi ku është rrëzuar është shumë e keqe dhe se vetëm me automjete të terrenit mund të arrihet aty. Ai tha se në vendngjarje kanë arritur ndihma e shpejtë dhe policia.
Dje rreth orës 17:40 në afërsi të Katllanovës është humbur kontakti me avionin me shenja të Gjermanisë i cili ka qenë duke kryer aktivitete komerciale, ndërsa ka fluturuar nga Trevizo e Italisë. Në avion kanë qenë 6 persona, prej të cilëve 4 shtetas italianë dhe 2 shtetas të Kosovës.
Avioni u zhduk nga radarët në Kontrollin për fluturime në Aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh”, dhjetë kilometra në pistën nga hyrja-dalëse.