Nilay Kar
04 Shkurt 2018•Përditësim: 04 Shkurt 2018
STAMBOLL (AA) – Turqia nuk synon pushtimin e asnjë pjese të Sirisë, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın.
"Nuk ka asnjë interes në pushtimin e ndonjë pjese të Sirisë”, tha Kalın në një komunikim me gazetarët në Stamboll, në mesin e të cilëve CNN, BBC, AFP, Daily Sabah, TRT World si dhe Anadolu Agency (AA).
“Sapo të përfundojë operacioni, ne do të dorëzojmë zonën në pronësi të popullit të Afrinit. Do t'i çlirojmë ata edhe nga prania e elementeve të YPG-së dhe PYD-së”, tha ai. Zëdhënësi presidencial tha se operacioni "Dega e Ullirit" ka tre qëllime kryesore, sigurimi i kufijve të Turqisë, pastrimin e Sirisë nga elementet terroriste, si dhe sigurimin e integritetit territorial të Sirisë.
“Të gjithë e dinë se PYD dhe YPG janë në fakt PKK. Është e njëjta strukturë”, deklaroi Kalın, për të shtuar se organizatat në fjalë paraqesin kërcënim për kufijtë e Turqisë, ndërkohë u bëri thirrje SHBA-vë të ndalin bashkëpunimin me ata.
- Nuk ka viktima civile
“Kemi menaxhuar me sukses parandalimin e viktimave civile. Banorët lokal po ndihmohen nga AFAD-i, Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë dhe organizata të tjera”, tha Kalın, duke shtuar se ushtria është shumë e kujdesshme në këtë aspekt, për çka raportet nga terreni flasin se nuk ka viktima civile.
Ai vuri në dukje “luftën me propagandë” kundër operacionit "Dega e Ullirit", ku në mediat sociale po përdoren fotografi nga konflikte të tjera duke u pretenduar se janë të këtij operacioni.
- Reagimi ndërkombëtar i mirëpritur, nuk ka marrëveshje me Rusinë
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë tha se reagimi ndërkombëtar ka qenë pozitiv lidhur me operacionin në fjalë.
"Askush nuk e vë në dyshim legjitimitetin e operacionit. Në përgjithësi, mbështetja ka qenë e mirëseardhur. Nuk ka marrëveshje me Rusinë, ju e merrni Idlibin ne Afrinin”, tha Kalın, sipas të cilit operacioni nuk ka një afat kohor, sepse do të vazhdojë për aq sa do të ketë nevojë.