Mehmet Tosun
11 Prill 2017•Përditësim: 11 Prill 2017
ANKARA (AA) - Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın në një intervistë për Al Jazeera English, ka folur për referendumin që do të mbahet më 16 prill në Turqi për ndryshimet kushtetuese, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nëse Evropa heq dorë nga lançimi i radikalëve, ndihmesa e terroristëve dhe nga sjelljet agresive ndaj qytetarëve turq që jetojnë në BE, situata shkon drejt përmirësimit. Pretendimet se Turqia është larguar nga BE-ja është një tjetërsim i asaj që ndodh në të vërtetë", tha Kalın.
Duke shpjeguar se përse Turqisë i duhet sistemi presidencial, ai thotë se Turqia momentalisht nuk ka një sistem të mirëfilltë drejtimi parlamentar, por një sistem të përzier i ndërtuar nga puçistët pas puçit ushtarak të vitit 1960 dhe pas atij të 1980-ës.
Duke vënë në dukje se ky sistem kishte si qëllim mbrojtjen e totalitarizmit ushtarak, Kalın në vijim shton se ky sistem nuk prodhon gjë tjetër vetëm se qeveri të dobëta koalicioni dhe është shkas për ndarje të theksuara politike.
Ai në vijim ka shtuar se puna e dobët e qeverive të kaluara të cilat përbeheshin nga koalicione, ka prodhuar puçe ushtarake. Sipas tij, para puçit të vitit 1980 parlamenti nuk mundi të zgjedhë presidentin në 115 seanca votimi, ndërsa thekson se qeveria e 1997-ës, pjesë e së cilës ishte edhe Partia Refah, ra si rrjedhojë e presionit të ushtarakëve.
Zëdhënësi Kalın thotë se me sistemin presidencial demokracia e Turqisë do të jetë më e mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme. Ai ka shtuar se qeverisjet me koalicione kanë treguar se nuk mundin të gjejnë zgjidhje për shumë probleme dhe veçanërisht për ato të ekonomisë. Kalın thekson se pas vitit 2002 ku në Turqi ka qeverisur një parti e vetme, shumë reforma janë bërë me lehtësi, ndërsa politika në vend ka hyrë në një stabilitet afatgjatë. Ai vë në dukje se me ndryshimet kushtetuese e ardhmja e Turqisë do të jetë më shumë e drejtuar nga stabiliteti.
Ndërsa lidhur me pretendimet e shteteve perëndimore dhe të partive politike opozitare në Turqi se është duke u zgjedhur një sistem me një person, Kalın thotë: "Asnjë nga këto kritika nuk është e vërtetë. Nëse ndryshimet kushtetuese pranohen, atëher do të ketë një ndarje shumë të mirë të pushteteve. Parlamenti për herë të parë do të ketë të drejtë të hapë një proces gjyqësor ndaj Presidentit dhe nëse do të jetë e nevojshme do të mund të çojë vendin në zgjdheje të parakohëshme presidenciale. Presidenti ndaj të cilit do të hapet një proces gjyqësor, nuk do të mund të marrë vendim për zgjedhje të parakohëshme. Deri më tani Presidentët nuk janë gjykuar, me përjashtim të hetimeve për tradhti kombëtare. Çdo njeri duhet të lexojë mirë përpara se të shkojë në përfundime si dhe duhet të kuptojë mirë mekanizmat frenuese".
- "Do të mbrojmë interesat tona"
Lidhur me një pyetje për marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së Kalın thotë: "Thëniet se dy palët janë shkaktare të kësaj situate të acaruar, nuk pasqyrojnë të vërtetën. Shumë vende të BE-së sot i kanë hapur krahët organizatave të ndryshme terroriste si PKK dhe FETÖ, organizata këto që vrasin njerëz të pafajshëm në Turqi. Javët e shkuara këto shtete ndërsa ndaluan diplomatët turq për tubime, lançuan dhe ndihmuan organizatat terroriste për organizimin e tubimeve dhe fushatës elektorale në mënyrë që në referendum të dalë 'jo'. Zyrtarët e Turqisë kishin për qëllim vetëm informimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për ndryshimet kushtetuese. Politikanët evropianë këtë e bëjnë në Turqi. Nëse heqin dorë së llastuari radikalët e djathtë, nga ndihma ndaj terroristëve dhe sjelljet agresive ndaj qytetarëve turq në vendet e tyre, atëherë marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së shkojnë përsëri në drejtimin pozitiv. Në këtë kuadër pretendimet se Turqia është larguar nga Evropa nuk përfaqësojnë realitetin".
Kalın ka rikujtuar se Turqia është pjesë e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. "Por njëkohësisht ne jemi një vend i pavarur dhe një vend që punojmë për interesat tona, si dhe për të ruajtur këto interesa. Asnjë parter nuk mund të jetë i njëanshëm. Marrëdhëniet Turqi - BE nuk mund të jenë të tillë në këtë kontekst", shtoi Kalın.