Zülfiya Yakup
25 Maj 2016•Përditësim: 25 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Panairi i 15-të tre ditorë Ndërkombëtar i Ndërtimtarisë "EXPOKOS 2016", u hap sot në Prishtinë. Panairi mbulon sferat e ndërtimit, energjisë, minierave, teknologjisë dhe pasurive të patundshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Për herë të parë në kuadër të EXPOKOS-it, po mbahet edhe "Festivali i gjelbër", me mbështetje të USAID-it, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë, si dhe përfitimet që sjellin në tregun e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie në hapje të panairit ka deklaruar se për Kosovën është shumë e rëndësishme që të zhvillon bizneset e gjelbra, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.
"Sipas një studimi të kryer nga USAID, më shumë se 80 përqind e kompanive në Kosovë planifikojnë të investojnë në energjinë e pastër në tre vitet e ardhshme dhe kjo është një mundësi shumë e madhe ekonomike për investime në energji të pastër dhe për instalimin e paneleve të energjisë diellore për prodhuesit e grimcave që prodhohen nga biomasat dhe për kompanitë e riciklimit", tha ambasadori amerikan.
Sipas tij, roli i Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e këtij sektori është i rëndësishëm sepse duhet të ofrohet korniza ligjore, ndërsa sektori privat duhet të çojë përpara këtë proces.
Ambasadori çek në Kosovë Ivo Shilhavy tha se Kosova ka nevojë për teknologji dhe zhvillim më modern të ekonomisë dhe se në këtë çështje mund të ndihmojë pikërisht kompanitë çeke.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Ferid Agani ka thënë se panairi paraqet një mundësi për promovimin e teknologjive që mundësojnë krijimin e vendeve të punës të ashtuquajtura të gjelbra dhe mbrojtjen e mjedisit, duke reduktuar nevojën e përdorimit të burimeve natyrore nëpërmjet ruajtjes së energjisë në ndërtesa dhe gjatë prodhimit.