Sibel Vezaj
15 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
PRISHTINË (AA) - Kreu shtetëror i Republikës së Kosovës shprehu dhimbjen pas sulmit terrorist në qytetin Nice të Francës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se kryeministri Mustafa shprehu dhimbjen dhe pikëllimin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për këtë akt të tmerrshëm terrorist.

“Jemi të shokuar me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin Nice. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez”, u shpreh Mustafa.
Duke vënë në dukje se Qeveria e Kosovës do të jetë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, kryeministri Mustafa theksoi se aktet e tilla terroriste nuk do të arrijnë ta ndalin luftën kundër kësaj të keqeje globale.
Mustafa dënoi edhe një herë aktet e mëhershme terroriste në Belgjikë dhe Turqi, duke kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet të gjitha vendeve demokratike, dhe përkushtimin e të gjithë qytetarëve kundër akteve të tilla.
Ndërkohë Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në një postim në llogarinë e tij në Twitter u shpreh se Kosova është pranë tyre.
%2FNew%20folder%2F20160529_2_16964946_10564873-1-.jpg)
“Kosova mbështet Francën në këtë orë të errët. Ngushëllime familjeve dhe miqve. Franca do të triumfojë. Ne jemi në anën tuaj”, u shpreh Thaçi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook reagoi kundër sulmit të tmerrshëm në Nicë.
%2FNew%20folder%2F20160606_2_17374760_11102242.jpg)
“Sulmi i tmerrshëm mbrëmë në Nice, ishte goditje e rëndë ndaj popullit të Republikës së Francës dhe vlerave tona të përbashkëta. Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm të pashembullt nga egërsia që po terrorizojnë dhe sjellin frikë tek të gjithë qytetarët, ndërsa të plagosurve u dëshirojmë shërim. Sulmi i mbrëmshëm na bën që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur kundër terrorizmit në nivel global”, u shpreh Veseli.