Vesna Besiç
26 prill 2016•Përditësim: 26 prill 2016
ZAGREB (AA) – Marrëdhëniet bilateral mes Kroacisë dhe Turqisë janë shumë të mira dhe pa çështje të hapura, por me një hapësirë të madhe për bashkëpunim të mëtejshëm veçmas lidhur me investimet, biznesin e përbashkët, eksportin e prodhimeve dhe shërbimeve kroate në Turqi, u shpreh presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Zagreb, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidentja kroate shprehu kënaqësinë që Erdoğan ka arritur me rreth një qind biznesmenë, por edhe me disa ministra gjë që dëshmon, sipas saj, interesin e Turqisë për biznes dhe investime në Kroaci.
“Kjo ishte edhe një nga shtyllat e bisedës sonë. Kemi biseduar për marrëdhëniet bilaterale të cilat janë shumë të mira dhe pa çështje të hapura, por me një hapësirë të madhe për bashkëpunim të mëtejshëm veçmas kur është fjala për investime, për biznes të përbashkët, eksport të prodhimeve dhe shërbimeve kroate në Turqi. Për bashkëpunimin tonë në sferën e energjetikës veçmas lidhur me gazsjellësin, transportin e energjetikës dhe lidhjeve qarkulluese”, tha Grabar – Kitaroviç.
Ajo theksoi se Kroacia mbështet rrugën e Turqisë drejt anëtarësimit në BE. “Po ashtu bashkërisht mbështesim shtetet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore në rrugën e integrimit evropian dhe në NATO për ata që e dëshirojnë këtë. Veçmas ndajmë përgjegjësinë për të ardhmen e BeH-së. Turqia këtu gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv dhe besojmë në bashkëpunim të mëtejshëm me Turqinë dhe në bashkëpunimin trilateral mes Kroacisë, BeH-së dhe Turqisë, thekosi Grabar-Kitaroviç.
Grabar-Kitaroviç dhe Erdoğan biseduan për krizën e migrantëve, në të cilën Turqia luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në dritën e marrëveshjes me BE-në, por edhe si shtet i cili i pranon i pari migrantët, shtet i cili është fqinj i Sirisë.
“Veçmas kemi rënë dakord për bashkëpunim trilateral mes Kroacisë, BeH-së dhe Turqisë, kur është fjala për çështjen e migrimit dhe veçmas për shkëmbimin e informacioneve të cilat do të ndihmojnë të gjithë shtetet tona në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Prandaj, bashkëpunimi i mëtejshëm i fuqishëm do të vijojë, jo vetëm në shkëmbimin e informacioneve, por edhe i formave konkrete të bashkëpunimit të ministrive dhe agjencive tona në menaxhimin e politikës migruese, por edhe gjithçka tjetër që kemi biseduar në sferën e sigurisë, bashkëpunimi ushtarak dhe në fushën e mbrojtjes, luftës kundër terrorizmit, por me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, në përhapjen e mëtejshme të investimeve, biznesit dhe në bashkëpunimin në sferën e kulturës, mësimin gjuhës turke, turkologjisë në Zagreb”, u shpreh Grabar-Kitaroviç.
Në kuadër ta takimit është nënshkruar protokoll bashkëpunimi mes Radiotelevizionit të Turqisë (TRT) dhe Radiotelevizionit të Kroacisë (HRT), si dhe marrëveshje për bashkëpunim të përbashkët në fushën juridike, në çështjet penale.