Admir Fazlagikj
14 Prill 2016•Përditësim: 14 Prill 2016
SHKUP (АА) – Trembëdhjetë persona të arrestuar dhe dy gazetarë të lënduar është bilanci nga protesta e mbrëmshme në Shkup e cila u mbajt para Zyrës Kombëtare të presidentit të vendit, Gjorgje Ivanov, konfirmon për Anadolu Agency, Natalija Spirova -Kordiç, kryeshefe e sektorit për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë (MPB).
"Për sa po flasim 13 persona janë arrestuar dhe po merren në pyetje për zhvillimet e mbrëmshme. Janë lënduar dy gazetarë” tha Kordiç për të shtuar se me detaje më të hollësishme do të dalin më vonë gjatë ditës së sotme.
Demonstruesit gjatë protestave të mbrëmshme dëmtuan zyrën e presidentit Ivanov në qendër të qyteti, ku thyen xhamat dhe shkatërruan inventarin brenda, ndërsa është dëmtuar edhe godina e Ministrisë së Drejtësisë në afërsi të zyrës së presidentit.
Arsyeja e protestës ishte vendimi i presidentit Ivanov për të falur zyrtarët e pushtetit dhe opozitës të cilët ndiqen penalisht.
Sipas presidentit, ky vendim do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike në vend, si dhe në përmirësimin e marrëdhënieve dhe zvogëlimin e tensioneve mes forcave politike të ndryshme dhe mbështetësve të tyre.
Protesta filloi para zyrës së Prokurores Speciale, të cilës protestuesit i dhanë përkrahje për të vazhduar hetimet e saj dhe më pas marshuan në Zyrën Kombëtare të presidentit Ivanov në qendër të qytetit.
Më pas ata u drejtuan drejt Kuvendit, ku kordoni policor parandaloi t’i afrohen ndërtesës, pas së cilës u kthyen prapa dhe dëmtuan zyrën e presidentit.