Nazmi Abduramani
19 Maj 2016•Përditësim: 20 Maj 2016
SHKUP (AA) – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, ka hapur sot Bazarin pranveror të punëve vendore të dorës, që sot dhe nesër mbahet në sheshin “Filipi i Dytë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Bazarin pranveror janë ekspozuar shumë punë vendore të dorës, ndërsa do të prezantohet edhe një numër i madh i zanateve, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
“Mbajtja e Bazarit pranveror është mundësi e mirë për të theksuar rëndësinë e zejtarisë dhe prodhimeve zejtare, si një faktor për zhvillimin ekonomik dhe një pjesë të kulturës dhe traditës sonë”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Ai tha se qëllimi i kësaj ngjarje është të nxjerrë në pah rëndësinë e këtyre kuadrove për zejtarinë dhe afarizmin, arsimin e mesëm profesional, trajnimin praktik dhe përvetësimin e aftësive dhe kompetencave, me qëllim që të inkurajohen të rinjtë që të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale.
Gjithashtu, qëllimi është edhe promovimi i profesioneve artizanale që ofrojnë perspektivë dhe mundësi për punësim, si dhe për të promovuar dhe për të ruajtur prodhimet e zejeve tradicionale dhe të inkurajojë shkëmbimin e përvojave të zejtarëve, rritjen e shitjes të prodhimeve artizanale dhe shërbimeve, si dhe rritjen e ofertës turistike përmes paraqitjes së zejtarisë si simbol i Qytetit të Shkupit.
Kryetari i Odës së Zejtarëve – Shkup, Nikolla Petrov thesoi se manifestimi përdoret për zhvillimin e zejtarisë dhe shprehu falënderim deri te Qyteti i Shkupit për mbështetjen e vazhdueshme të zejtarisë.
Në kuadër të këtij manifestimi tradicional këtë vit do të promovohen punime të qeramikës, përpunimi I filigranit, veshjet popullore, punimet e gurit, shishe, punimet e kukullave, ikona, bizhuteri, instrumente muzikore, vizatime në gota me motive të Maqedonisë, qirinj dylli, aranzhmaneve unikate të luleve prej bonbonave.
Në Bazarin pranveror sot u zgjodh edhe suveniri më autentik për Shkupin. Organizator i Bazarit pranveror është Oda e Zejtarëve – Shkup, ndërsa mbështetës i manifestimit është Qyteti i Shkupit.