İdris Okuducu
17 tetor 2016•Përditësim: 17 tetor 2016
MUSUL (AA) - Ushtria irakiane dhe forcat Peshmerge kanë nisur të sulmojnë organizatën terroriste DEASH në Musul, nga 3 drejtime të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat Peshmerge dhe ato irakiane janë duke u përgatitur për të goditur pozicionet e DEASH-it në vijën e frontit Hazır me artileri të rëndë, ndërsa forcat e koalicionit ndërkombëtarë do të ndihmojnë në këtë operacion nga ajri.
Me anë të këtyre sulmeve synohet shpëtimi e qytezës Hamdanije ku jeton një popullsi kryesisht krishtere.
Komandanti i forcave Peshmerge në frontin e rajonit Hazır, në një deklaratë për gazetarin e AA, ka thënë se forcat Peshmerge të vendosura në lindje dhe juglindje të Musulit, do të sulmojnë në 3 anë të ndryshme pozicionet e DEASH-it. Në këto operacione pritet të marrin pjesë 15 deri në 18 mijë forca Peshmerge.
Nga ana tjetër mësohet se edhe në rajonin strategjik në lindje të qytetit të Musulit, malin Zerdek, janë dislokuar një numër i madh trupash Peshmerge. Ndërkohë për të ndjekur lëvizjet e DEASH-it në fushën e Musulit, zona ndriçohet vazhdimisht me helikopterë. Nga kjo fushë herë pas here dëgjohen edhe zhurma të artilerisë së rëndë.
Kryeministri i Irakut, Ibadi më parë në një dalje televizive, kishte deklaruar se ka nisur operacioni për shpëtimin e Musulit nga organizata terroriste DEASH. Ai deklaroi se në qendër të qytetit do të hyjnë vetëm forcat e ushtrisë dhe ato policore irakiane.