Sarp Özer
15 Nëntor 2016•Përditësim: 15 Nëntor 2016
ANKARA (AA) – Fillon të shpërbëhet organizata terroriste PKK pasi Forcat e Armatosura Turke organizuan operacione në periferi të Hakkarit dhe pastruan zonat që sipas pjesëtarëve të organizatës terroriste ishin “të ndaluara për hyrje”. Në kuadër të kësaj, në periferi të rajonit Shetunus në veri të Irakut, mes terroristëve shpërthyen përleshje, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burimet ushtarake, në operacionet e nisura ndaj organizatës terroriste separatist që nga 24 gushti në qarqet Çukurca dhe Yüksekova të Hakkarit nga Forcat e Armatosura Turke, janë neutralizuar 510 terroristë.
Në operacionet e tri muajve të fundit, zonat e cilësuara si “të ndaluara për hyrje” nga organizata terroriste, janë pastruar nga terroristët. Operacionet e organizuara nga forcat e sigurisë kanë futur nën presion të madh psikologjik dhe fizik terroristët.
Operacionet e forcave të sigurisë të cilat kërkojnë vazhdimësi, kanë sjellë në gjendje të pavolitshme terroristët, ndërkohë që demoralizimi i tyre u interceptua edhe në bisedat e tyre përmes radiokomunikimit.
Njësitet e Divizionit të Tretë në Hakkari kanë zbuluar përmes përgjimeve të radiokomunikimit se dy grupe të organizatës terroriste PKK kanë hyrë në luftime me njëra-tjetrën. Luftimi në fjalë ka ndodhur në rajonin Shetunus në veri të Irakut, ndërkohë që rasti është verifikuar edhe nga burimet në rajon. Po ashtu, përmes përgjimeve u mësua se në luftime ka terroristë të vdekur dhe të plagosur. Pas 40-50 të shtënave që u dëgjuan, në radiokomunikim u interceptuan fjalët: “Qëlluan Xhivanin dhe katër persona me të, të tjerët kaluan në anën e armikut, jemi në ndjekje”.
Mësohet se luftimi ka shpërthyer mes anëtarëve të rinj të organizatës dhe atyre të vjetër. Anëtarët e rinj, siç mësohet, kanë luftuar ndaj më të vjetërve për arsye se detyroheshin të luftonin në radhët e para dhe dërgoheshin me dije drejt vdekjes. Ky shqetësim brenda organizatës ishte zbuluar edhe më herët përmes përgjimeve. Forcat e sigurisë kanë marrë masat e nevojshme ndaj terroristëve që thuhet të kenë ikur drejt Turqisë.
Ngjarja në fjalë paraqet njërin nga luftimet e para brenda organizatës që dolën në dritë pas kapjes së kreut të organizatës terroriste separatiste. Një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur më herët në Kandil, me çka organizata terroriste separatiste kishte pësuar rënie të madhe. Gjendja në fjalë tregon se kohëve të fundit, e veçanërisht si pasojë e operacioneve konsekuente dhe efikase në rajonin Dağlıca-Çukurca, organizata ka hyrë në periudhën e shpërbërjes.