Vesna Besiç
27 Prill 2016•Përditësim: 27 Prill 2016
ZAGREB (AA) - Turqia i përket Evropës në kuptimin ekonomik, kulturor dhe hapësinor, porositi presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç në një fjalim në Forumin ekonomik kroato-turk në Zagreb, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo tha se ishte e kënaqur për mundësinë që të përshëndes tubimin e madh me një numër të kompanive dhe sipërmarrësve.
"Numri i kompanive tregon se interesi për bashkëpunim është i madh, dhe kjo më bën shumë të lumtur. Ky numër i madh i biznesmenëve vetvetiu dëshmon për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona", tha Kitaroviç.
Vizita e Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan në Kroaci, sipas Grabar-Kitaroviç, në marrëdhëniet midis dy vendeve ka vendosur themele më kualitative.
"Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Turqisë janë miqësore dhe të gjithanshme. Kroacia njeh rëndësinë e Turqisë dhe rolin e saj të rëndësishëm ndërmjetësues në mes të kulturave dhe vendeve të rajoneve të ndryshme, të Evropës Juglindore, Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore ... Ne vlerësojmë rolin e Turqisë në proceset dhe iniciativat e ndryshme rajonale. Përgëzoj angazhimin e Turqisë në integrimet evropiane. Turqia i përket Evropës në kuptimin ekonomik, kulturor dhe hapësinor. Mes Kroacisë dhe Turqisë nuk ka çështje të hapura", tha presidentja e Kroacisë në hapjen e takimit ku po marrin pjesë dhjetëra biznesmenë turq dhe kroatë.
Veçanërisht të rëndësishëm e ka cilësuar dëshirën e përbashkët të përfaqësuesve të të dy vendeve për bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos në fushën e ekonomisë.
"Marrëdhëniet tona ekonomike në përgjithësi po zhvillohen me sukses. Është rritur këmbimi tregtar në vitin 2015, dhe janë realizur investime të konsiderueshme turke në ekonominë kroate. Madje, sërish është rritur numri i turistëve turq në Kroaci", tha Grabar-Kitaroviç.
Presidenti turk Erdogan të martën mbërriti për një vizitë zyrtare dy-ditore në Kroaci, ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të këtij shteti. Me Presidenti turk në Kroaci kanë udhëtuar gjashtë ministra dhe rreth 90 biznesmenë të interesuar për bashkëpunim me biznesmenë kroatë. Arsyeja e ardhjes së presidentit Erdogan në Zagreb është shënimi i 100 vjetorit të njohjes institucionale të islamit në Kroaci.