Sibel Vezaj
23 Gusht 2016•Përditësim: 23 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Mbrëmë në Prishtinë, në rrugën “Xhemajl Prishtina” tek objekti i televizionit publik të Kosovës (RTK-së), ka ndodhur një shpërthim, i cili dyshohet se është kryer nga mjeti shpërthyes granatë dore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia e Kosovës, në një njoftim për media ka bërë të ditur se, ka reaguar menjëherë pas rastit, duke ndërmarrë veprime operacionale dhe hetimore.
“Fillimisht është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe më pastaj janë kryer procedurat e mëtutjeshme policore, duke përfshirë kontrollimin e hapësirës, mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale, në bazë të të cilave dyshohet se në pjesën e prapme, anash objektit të RTK-së ka shpërthyer mjeti i dyshuar granat dore”, thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës.
Duke vënë në dukje se rasti është iniciuar si “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani nuk kishte ndonjë person të lënduar.
“Policia është duke punuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante, duke përfshirë kamerat e sigurisë, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësit/ve të këtij rasti”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli reagoi kundër shpërthimit në RTK, ku në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka shkruar se ky akt është një veprim kriminal, duke e konsideruar se ky veprim, i cili në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.
“Ne jemi shtet demokratik dhe nuk mund të lejojmë asnjëherë që dhuna dhe metodat e frikësimit të ndikojnë në lirinë e mediave, axhendën shtetërore dhe debatin politik”, ka shkruar Veseli.
Me këtë rast, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke dënuar sulmin me bombë dore ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Në një njoftim zyrtar të AGK-së thuhet se qëllimi i këtij sulmi është ushtrimi i presionit e të frikës mbi gazetarët, duke vënë në dukje se institucionet e sigurisë nuk duhet që ta lejojnë një gjë të tillë.
“Ne kërkojmë nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera që ta hetojnë me urgjencë këtë rast në mënyrë që të gjenden autorët. Ky sulm është veprim kriminal dhe duhet të sanksionohet. Nga sulmi kanë mundur të pësojnë kolegët gazetarë, disa prej të cilëve në kohën e shpërthimit kanë qenë në vendin e tyre të punës. Fatmirësisht askush nuk ka pësuar nga ky sulm”, thuhet në reagimin e AGK-së.