Bekim Laci
14 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
SHKUP (AA) – Agjenicia për Komunikime Elektronike (AKE) në Maqedoni e nisur nga nevoja për respektimin e dispozitave ligjore për komunikime elektronike do të shpall tender publik për zgjedhjen e një apo më shumë ofruesve të shërbimit universal të telefonisë fikse për vendet e largëta rurale në të cilat qytetarët do të mund të kenë qasje në interenet, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftoi në konferencën për media drejtori i AKE-së, Sasho Dimitrievski, ofruesi i shërbimit mes tjerash do të duhet të sigurojë edhe qasje në internet me një shpejtësi minimale 2MBPS me çmime të kapshme për të gjitha amvisëritë të cilat deri më tani nuk kanë pasur mundësi të lidhen me internet me njërën nga teknologjitë.
“Bëhet fjalë për amvisëri në lokacione të largëta në të cilat operatorët nuk kanë pasur interes komercial të investojnë në pajisje e cila do të mundësonte qasje në internet. Sipas të dhënave të cilat i posedojmë, në Republikën e Maqedonisë janë rreth 10 mijë amvisëri të cilat nuk kanë mundësi të kenë qasje në internet me një shpejtësi efikase”, tha Dimitrievski, sipas të cilit shpenzimet do të mbulohen nga një fond i veçantë në agjenci pasi bëhet fjalë për një investim joprofitabil.
“Në agjenci ekziston një fond në të cilin operatorët për çdo vit participojnë me një pjesë të fondeve të cilat do të shërbejnë për të kompenzuar shpenzimet shtesë të nevojshme për operatorin i cili do të ofrojë shërbimet në lokacion ku nuk ka llogari financiare”, tha ai për të shtuar se interesi i shfaqur i banorëve është i madh.
Dimitrievski tha më tej se ofruesi i shërbimit duhet të ndërmerr masa të posaçme me qëllim të mundësojë qasje edhe për personat me invaliditet.
Me qëllim të zbatojë procedurën për tender publik, AKE të mërkurën e ka shpallur tenderin në tre gazeta ditore dhe në faqen e saj të internetit me qëllim që të hap debat publik me palët e interesuara.