İnci Gündağ
30 Nëntor 2016•Përditësim: 30 Nëntor 2016
LONDËR (AA) - Hyn në fuqi ligji i shumë debatueshëm në Britani i cili iu njeh të drejtën ofruesve të shërbimeve të telefonisë dhe internetit që të monitorojë dhe të publikojë informacionet dhe veprimet e përdoruesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Me ligjin e përgatitur në kuadër të punimeve për luftën kundër terrorizmit dhe krimeve kibernetike dhe i cili ka marrë miratimin e mbretëreshës, theksohet se agjencitë britanike të zbulimit dhe shërbimet e sigurisë do të mund të ndjekin më nga afër personat që përbëjnë kërcënim terrorist.
Sipas ligjit të ri ofruesit e shërbimeve të telefonisë dhe internetit duke regjistruar faqet e vizituara në internet, aplikacionet e përdorura dhe detajet e shërbimit të internetit, do të mund ti ruajnë ato për 12 muaj dhe do të mund të ndajnë këto informacione në rast të kërkesës nga qeveria. Gjithashtu me ligjin e ri 48 institucione të qeverisë duke përfshirë edhe forcat e policisë dhe shërbimet kombëtare shëndetësore do të mund të shikojnë edhe informacionet e vjetra që përdoruesit kanë fshirë.
Pavarësisht se në ligj ndodhet edhe një nen shtesë për mbrojtjen e informacioneve të gazetarëve, ky nen nga disa institucione të shtypit është cilësuar si "ndëshkimi me vdekje për gazetarinë investigative". Në kuadër të nenit njësitë e sigurisë nuk do të mund të kenë qasje në regjistrat telefonike dhe të internetit pa patur një leje nga gjyqtari.
Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Amber Rudd, në një deklaratë për ligjin e ri është shprehur se "Ligji ofron transparencë të paparë më parë, mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme të privatësisë dhe që mund të jetë udhërrëfyes në botë."
Ndër të tjera Rudd tha se "Jemi të qartë se forcat tona të shërbimeve inteligjente dhe të sigurisë e kishin të nevojshme një autoritet të tillë për sigurinë e popullit në një periudhë të tillë ku janë rritur kërcënimet. Interneti për terroristët ofron mundësi të reja. Ne duhet të jemi të sigurtë se kemi aftësinë për tu përballur me këto vështirësi."
Ligji ka shkaktuar reagime
Ligji në fjalë është pritur me reagime nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut me arsyetimin se shkel të drejtën e privatësisë së personit. Drejtori i organizatës "Open Rights Group", Jim Killock, në një deklaratë ka kritikuar ligjin e ri duke u shprehur "ky është një prej ligjeve ndjekës më ekstrem i legjitimuar në një demokraci."
Gjithashtu edhe ish-analisti i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA) dhe i cili dekonspiroi dokumentet e NSA-së, Edward Snowden, në një deklaratë në Twitter ka shkruar "Mbretëria e Bashkuar ka legjitimuar monitorimin më ekstrem të historisë së demokracisë perëndimore. Ka shkuar më shumë se disa regjime shtypëse."