Admir Fazlagikj
09 Tetor 2015•Përditësim: 09 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Gjatë ditës së djeshme edhe 2.569 shtetas të huaj kanë marrë vërtetime për qëllimin e shprehur për dorëzimin e kërkesave për njohjen e të drejtës për azil, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Ndërsa numri i përgjithshëm i atyre që gjatë 24 orëve të fundit kaluan vendkalimin kufitar maqedonas-grek është shumë më i lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas nënshtetësisë, personave që më së shumti u është dhënë vërtetim janë shtetasit e Sirisë, Afganistanit, Irakut, ndërsa të tjerët janë më të paktë në numër. Në periudhën prej 19 qershorit të këtij viti deri më sot janë dhënë gjithsej 127.553 vërtetime për shtetas të huaj, njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë. Gjatë 24 orëve të fundit në Sektorin për Azil janë dorëzuar 18 kërkesa për njohjen e të drejtës së azilit në bazë të vërtetimit të dhënë paraprakisht, dhe gjithsej 68 në thuajse katër muajt e kaluar.
Në deklaratën e djeshme për AA, Lorenzo Leonelli, menaxher terreni i UNHCR-së tha se numri i refugjatëve që mbërrijnë në kufirin jugor të Maqedonisë është rritur në masë të konsiderueshme. “Dje numri i refugjatëve të arritur shënon rritje prej tetë deri në nëntë mijë, që është numër i madh. Javën e kaluar kishim 4-5 mijë refugjatë në ditë”, deklaroi Leonelli duke thënë se pret të rritet numri i refugjatëve.