Malik Hasa
02 Korrik 2016•Përditësim: 03 Korrik 2016
TIRANË (AA) – MALIK HASA - Besimtarët muslimanë të komunitetit rom në Shqipëri i cili jeton në kushte të vështira dhe jashtë çdo standardi, edhe pse në vështirësi, me sakrifica të mëdha sjellin në vend ritet e tyre fetare, ku një nga më të rëndësishmit është edhe agjërimi në muajin e Ramazanit.
Në kushte të vështira ku jetojnë në çadrat e improvizuara ata përballen çdo ditë me mungesë të theksuar të higjenës, por ajo që është edhe më e rëndësishmja, mungesën e ushqimit bazë.
Jashtë kamerës banorët e komunitetit rom që janë të vendosur në zonën e Shkozës në Tiranë shprehen se Bashkia e Tiranës përmes qendrës së kujdesit jep një herë në ditë ushqim për fëmijët, ndërsa vetë të rriturit jetojnë duke blerë ushqim me paratë e nxjerra nga mbledhja e mbetjeve të riciklueshme në koshat e qytetit.
Fatime Rustemi, 60 vjeçe, një besimtare muslimane e cila jeton në lagjen-çadër ku jeton komuniteti rom prej shumë kohësh duke folur për gazetarin e AA tregon se mban agjërim prej 17 vitesh edhe pse në kushte shumë të vështira.

"E kam mbajtur edhe me një kokërr veze agjërimin, edhe pa ngrënë fare. Edhe tani ziej një kokërr vezë dhe marr një kos dhe me këto kaloj dy ditë. Kosin e përziej me ujë dhe e konsumoj pasi nuk kam mundësi që të blej produkte të tjera", tregon Rustemi me sy të përlotur.
Ajo shprehet se shumica e romëve janë me origjinë muslimane dhe kanë traditë muslimane. Sipas saj të parët e tyre agjëronin dhe kryenin ritet fetare të cilat i dinin mirë, në mënyrë të fshehtë për shkak të frikës nga sistemi komunist.
Duke treguar për nënën e saj Rustemi shprehet: "Më tregonte nëna shumë gjëra për fenë. Ajo pa bismilanë nuk hante bukë. Zgjohej, dilte jashtë dhe kudo e shoqëronte fjala bismilah. Kur e pyesja se çfarë është kjo 'bismillah’ më thoshte që është fjalë e Zotit."
Rustemi tregon se pas përmbysjes së sistemit komunist ajo dhe familja e saj e kanë përqafuar përsëri fenë Islame. "Realisht jemi të gjithë muslimanë, por shumica këtu nuk beson. Madje disa nga banorët këtu janë konvertuar edhe në të krishterë. Për shkak se vijnë ata të kishës dhe ju japin për të ngrënë. Ne kurrë nuk e kemi shitur fenë tonë dhe mos na e bëftë Zoti rrisk një gjë të tillë. Në duam Zotin tonë. Atje do të kthehemi dhe atij do ti japim llogari", shprehet kjo anëtare e komunitetit rom që prej disa vitesh jeton në Tiranë.
Ndërsa kryefamiljari Istref Rustemi i cili nuk arrin të flasë mirë për shkak të sëmundjes në laring shprehet me zë të ngjirur se që prej 17 vitesh nuk e ka lënë kurrë praktikën fetare.
"Jam shumë i kënaqur që njoha Zotin tim. Jam 62 vjeç dhe jam shumë i kënaqur që jam i tillë besimtarë. Nuk më bën përshtypje që jetoj në këtë barake, pasi unë besoj se do ta kem shumë më të bukur në botën tjetër" shprehet Istrefi.

Në fund të fjalës së tij Istrefi nuk nguron të urojë gjithë botën muslimane për muajin e madhërishëm të Ramazanit.
Edhe pse nuk ka shifra të sakta për popullsinë e këtij komuniteti, vlerësimet e organizatave të ndryshme tregojnë që popullsia rome në Shqipëri varion nga 80.000 – 120.000. Ndërkohë të drejtat e këtij komuniteti nuk mbrohen vetëm nga aktivistë të vetë komunitetit, por edhe nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Pjesëtarët e komunitetit rom, edhe pse jetojnë në kushte të vështira, në disa zona të Tiranës, kujdesen që çdo vit ata të festojnë edhe Bajramin. Sipas traditës së tyre, edhe në rast se nuk kanë agjëruar pjesëtarët që i përkasin besimit islam bëjnë të gjitha përgatitjet që bashkë me familjet e tyre të festojnë Fiter Bajramin.
Atmosfera e gëzueshme që sjell Bajrami edhe në familjen Rustemi, bën që për disa ditë të harrohet varfëria e tyre. Pjesëtarët e kësaj familje shprehen se çdo vit ata përpiqen të festojnë sipas traditës festën, ndërsa marrin pjesë edhe në faljen e namazit të Bajramit në Tiranë.