Agon Fehmiu
26 Nëntor 2015•Përditësim: 27 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me sfidën me të cilën sot po ballafaqohet e tërë bota, terrori dhe vrasjet në emër të fesë, tha se askush nuk ka të drejtë që të derdhë gjakun e qenieve njerëzore në emër të Zotit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së tij në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, së bashku me Myftiun e Kosovës, Naim efendi Tërnavën, Veseli i ka porositur nxënësit e Medresesë se njerëzit dhe grupet e njerëzve që po bëjnë dhunë, vrasje, shkatërrime dhe terror, ata janë armiq të Zotit dhe të fesë Islame.
Duke rikujtuar se, sipas besimit, Zoti i kishte ndaluar Ibrahimit apo siç quhet tek krishterët Abrahami, ta sakrifikojë djalin e vet në emër të Zotit, kryeparlamentari Veseli tha se askush nuk guxon të derdhë gjakun e njeriut në emër të Zotit, ka lindur vlera më e madhe njerëzore, humanizmi.
“Tradita islame dhe ajo krishtere, me shekuj e kanë përçuar mesazhin, edhe pse herë pas here kanë dalë edhe grupe kriminale dhe fanatikë, që kanë dashur të përmbysin këtë mesazh madhështor. Por, asnjëherë nuk ka pasur sukses, ashtu siç edhe tani nuk do të kenë sukses, shëmtira të tilla të ulëta, siç është DAESH apo njerëz të llojit të tyre. Të nderuar medresantë, ne së bashku duhet t’i ndalojmë këta njerëz të lig, me fuqinë e ligjit dhe forcën e shpirtit”, theksoi ai.
Njeriu i parë i Kuvendit të Kosovës ka thënë se shqiptarët si popull i cili ka tri fe, myslimane, katolike dhe ortodokse, duhet ta kultivojnë tolerancën ndërfetare.
Ai ka theksuar se “është obligim i yni që të veprojmë bashkërisht për të promovuar potencialin human të fesë dhe të punojmë në forcimin e tolerancës ndërfetare, solidaritetit dhe respektimit të vlerave të diversitetit, sikurse kanë bërë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, ndër shekuj”.
Kadri Veseli nga Medreseja Alauddin porositi se, Kosova është me besim në Zotin përkrah botës së civilizuar dhe se e përkrah botën demokratike.
“Në asnjë moment nuk do të lejojmë që kombi ynë, shteti ynë, të jetë pjesë e involvimeve apo implikimeve të shëmtirave të cilat po tentojnë sot, në emër të besimit tonë të shenjtë në fenë Islame, të na keqpërdorin. Ju, të nderuar nxënës të medresesë, si lider të ardhshëm shpirtëror keni obligim fetarë që t’i privoni nga mundësia njerëz të tillë, shëmtira të tilla që të flasin në emër të Zotit dhe në emër të fesë sonë, fesë Islame", ka thënë Veseli.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka theksuar se DAESH-i nuk ka lidhje me islam dhe Kuran. Ai ka rikujtuar se në këtë medrese janë shkolluar shumë njerëz dhe heronjë të mëdhenj të kombit shqiptar, por ka theksuar se të tri fetë kanë qenë vlerë e popullit shqiptar
“Ne besimtarët për bazë e kemi Kuranin, Hadithin e hazreti Muhamedit a.s. dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që askush, për interesa individuale, parciale, grupore apo klanore, të keqpërdorë Kuranin apo fenë islame, në shërbim që të bëjë keq vetë islamit, vetë myslimanëve dhe vetë njerëzimit të mbarë".
Myftiu Tërnava ka porositur të rinjtë që të mos bien pre e atyre njerëzve që as vet nuk e dinë se çfarë po bëjnë, ndërsa thirren në fe. Ai ka potencuar se Bashkësia Islame e Kosovës, sikurse çdo herë deri më tash, me gjithë potencialin dhe kuadrin e vet, do të punojë dhe do të angazhohet edhe më shumë, për të ndikuar tek rinia brenda territoreve shqiptare që të mos shkojnë në luftëra të huaja sepse kjo është rrugë kundër Kuranit dhe parimeve të tij.
"Atje nuk ka shehidë", ka thënë myftiu dhe ka shtuar se islami po keqpërdoret dhe se kundër vrasësve dhe dhunuesve duhet të luftojmë me të gjitha forcat për t’i larguar nga mjediset tona.