Bekim Laci
23 Janar 2016•Përditësim: 24 Janar 2016
SHKUP (AA) –Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit gjithsej 1.031 shtetas të huaj janë pajisur me vërtetime për qëllimin e tyre të shprehur për parashtrim të kërkesës për njohjen e së drejtës së azilit, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga numri i përgjithshëm, 489 janë të gjinisë mashkullore, 198 të gjinisë femërore dhe 344 fëmijë të cilët e shoqërojnë bartësin e vërtetimit.
Siç njofton MPB-ja, sipas shtetësisë, më të shumtë janë shtetasit e Afganistanit, 411, nga Siria janë 436 dhe nga Iraku 154.
Që nga fillimi i vitit deri më sot janë dhënë vërtetime për gjithsej 37.835 shtetas të huaj, nga të cilët 15.979 janë të gjinisë mashkullore, 8.115 të gjinisë femërore, 13.640 janë fëmijë të cilët e shoqërojnë bartësin e vërtetimit, si dhe 101 fëmijë të cilët udhëtojnë pa prindër, të cilëve u janë dhënë vërtetime për qëllimin e shprehur për parashtrim të kërkesës për njohjen e së drejtës së azilit.
Sipas shtetësisë së personave të cilëve u janë dhënë vërtetime, më të shumtë janë ata të Sirisë, konkretisht 18.716, nga Afganistani 12.286 dhe Irakut 6.830.