Fatjon Cuka
23 Nëntor 2015•Përditësim: 24 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Pas reshjeve të djeshme të shiut që shkaktuan probleme në disa qytete të Shqipërisë, situata duket se po shkon drejt normalizimit, por në disa zona qytetarët kanë hasur në probleme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë janë shënuar edhe reshjet e para të borës në vend, në qarkun e Kukësit dhe të Dibrës, ndërsa polumbarët vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të të riut nga Dibra, Adil Vladi, 27 vjeç që humbi jetën dje.
Reshjet e dendurave të shiut dhe moti i keq shkaktuan një situatë të rënduar në disa zona të Shqipërisë, me përmbytje nga uji, mungesë energjie elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve etj, të cilat përveç vështirësive të krijuara, kanë dëmtuar në disa raste pasurinë apo bizneset e banorëve.
Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës njofton si pasojë e kushteve të rënda atmosferike të ditës së djeshme ka mungesë të furnizimit me ujë.
Përveç mungesës së energjisë elektrike në disa zona të vendit ka edhe rrëshqitje të tokës në akse rrugore dhe dëmtim të banesave. Ndërsa shirat kanë shkaktuar dëme edhe në të mbjella dhe në bagëti, në zonat malore të vendit.