Fatjon Cuka
22 Nëntor 2015•Përditësim: 22 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa qytete të vendit, si në Tiranë, Dibër, Kukës, Vlorë, Fushë-Krujë, Durrës, etj. Paraprakisht dyshohet se nga moti rezulton i zhdukur një person në qarkun e Dibrës, ndërsa era e fortë ka qenë prezentë edhe në kryeqytetin e vendit, Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Situata paraqitet problematike në Fushë-Krujë, ku lumi Zezë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Ndërsa në qytetin e Vlorës për shkak të shirave të dendur dhe nga era e fortë është pezulluar aktiviteti i anijeve të peshkimit.
Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Durrës, ndërsa ka patur prezencë të madhe uji në disa segmente të autostradës Tiranë – Durrës. Por nga reshjet ka patur edhe rrëshqitje të dheut në aksin rrugor Burrel-Milot.
Prezencë të madhe uji ka patur edhe në Tiranë, ndërsa në kryeqytet në disa zona për disa orë është ndërprere edhe energjia elektrike. Në kryeqytet prurjet e lumit të Tiranës shkaktuan përmbytjen e disa banesave në zonën e Paskuqanit.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë ka njoftuar se do të ketë furnizim shumë të kufizuar me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit.