Furkan Abdula
30 Prill 2021•Përditësim: 01 Maj 2021
Në Maqedoninë e Veriut sot arritën 200.000 doza vaksinash nga prodhuesi Sinopharm nga Kina, me çka do të mundësohet imunizimi masiv i popullsisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Informacioni u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë e vendit në një deklaratë.
Deklarata theksoi se këto vaksina u siguruan në negociata të drejtpërdrejta me prodhuesin.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi imunizimin e ardhshëm më gjithëpërfshirës duke filluar nga e marta, menjëherë pas shpërndarjes së dozave të planifikuara në të gjitha pikat ku do të administrohen.
"Vaksinat do të vendosen në dhomën e ftohtë në Poliklinikën Jane Sandanski dhe do të shpërndahen sipas kushteve të parapara për imunizim, pra, bazuar në interesin që qytetarët do të shprehin së pari përmes faqes në internet vakcinacija.mk, por edhe përmes mjekëve familjarë", thuhet në deklaratë.
Filipçe ka thënë se ai beson se deri në fillim të verës do të ketë një përqindje të lartë të popullatës që do të vaksinohet dhe se gjatë këtij muaji pritet të marrin sasi më të mëdha të vaksinave, të cilat, sipas tij, do të kontribuojnë në një përfshirje edhe më të madhe të imunizimit.
Ai falënderoi ambasadorin kinez Zhang Zuo për, siç tha ai, angazhimin e tij, si dhe ekipin e tij për komunikimin e përditshëm, me çka është mundësuar dorëzimi i këtij kontingjenti të vaksinave.
Nga ana tjetër, ambasadori Zuo ka thënë se bashkimi i vendeve në procesin e imunizimit do të thotë shumë për menaxhimin global të pandemisë, ndërsa me këtë rast është hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.