11 Maj 2020•Përditësim: 11 Maj 2020
Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut, e cila ka vendosur që nga e marta të rihapë xhamitë për besimtarët muslimanë, ka bërë të ditur se me qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) gjatë faljes së namazeve në xhami do të zbatohen masa mbrojtëse, si mbajtja e maskave, pastrimi i duarve me dezinfektues dhe distanca sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një letër drejtuar Muftinive në mbarë territorin e vendit, BFI thekson se masat e ndërmarra nga Rijaseti i BFI-së duhet të zbatohet në çdo xhami në mbarë vendin.
"Dezinfektimi i xhamive, mbajtja e patjetërsueshme e maskave, pastrimi i duarve me dezinfektant para hyrjes në xhami ose mbajtja e dorëzave, çdo besimtar me vete të ketë sexhade personale, sa më tepër të shfrytëzohen oborret e xhamive për faljen e namazeve, të ruhet distanca fizike sa më shumë që është e mundur mes xhematit", janë ndër masat që do të duhet të zbatohen nëpër xhami.
BFiI theksoi se në ambientet e xhamisë ndalohet qëndrimi në grupe para ose pas faljeve të namazeve, si dhe apelon që ligjeratat fetare të mos jenë më të gjata se 10 minuta.
BFI po ashtu njoftoi se abdes-hanet dhe toaletet në xhami do të jenë të mbyllura dhe apeloi që abdesti të merret në shtëpi.
Të premten, BFI vendosi që nga 12 maji xhamitë në mbarë territorin e vendit të jenë në "shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive". Ky vendim erdhi pas një pezullimi pothuajse dymujor të faljes së namazit nëpër xhami shkaku i masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Maqedonia e Veriut deri më tani ka raportuar gjithsej 1.642 raste të konfirmuara me COVID-19, prej të cilëve 1.136 janë shëruar dhe 91 kanë vdekur.