Bekim Buci
23 Shtator 2015•Përditësim: 23 Shtator 2015
SHKUP (AA) - Sonte në sheshin “Filipi i dytë” në Shkup filloi manifestimi kulturor “Tingujt e Çarshisë” i cili organizohet nga Qendra Informative Kulturore-Shkup. Manifestimi u pasurua me tingujt e grupit muzikor Orhideja dhe këngëtari i saj, Shpend Latifi dhe bendi “Sllatkaristika”, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoresha e Qendrës Kulturore Informative, Sermine Purrini në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se interesi sa vjen e rritet për manifestimin “Tingujt e Çarshisë” dhe se ky manifestim ka jetë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Në këto momente jemi në festivalin e tingujve të Çarshisë 2015. Ky është edicioni i 9-të në Shkup. Festivali ka filluar të realizohet në vitin 2006 dhe veç më është tradicional. Ma merr mendja se nga interesi që tregojnë qytetarët për këtë manifestim, ky manifestim ka jetë dhe do të vazhdon”, tha Sermine Purrini drejtoresha e QKI-së.
Ajo më tej tha se prania e njerëzve me siguri se do të jetë më e madhe gjatë ditës së mërkurë ku gjatë tërë ditës nëpër rrugicat e Çarshisë do të ketë aktivitete ndërsa në mbrëmje në Kurshumli Ann manifestimi do të përmbyllet poashtu me një koncert.
Gjatë këtyre nëntë viteve në skenën e manifestimit “Tingujt e Çarshisë” kanë defiluar shumë këngëtarë të njohur, piktorë, balerin, animus, grupe të njohura shqiptare, maqedonase, turke, rome, pasi që edhe manifestimi është i ideuar që të jetë multikulturor.