Besar Ademi
07 Gusht 2017•Përditësim: 08 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Skuadra angleze Manchester United kanë zhvilluar seancën stërvitore për ndeshjen e nesërme kundër skuadrës spanjolle Real Madrid, në kuadër të finales së UEFA Super Kupës, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Lojtarët seancën stërvitore e zhvilluan në stadiumin “Filipi i dytë”, e cila sipas paralajmërimeve do të jetë stërvitja e vetme para ndeshjes së nesërme.
Para fillimit të stërvitjeve, menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, në një konferencë për media theksoi se në Maqedoni është për herë të parë dhe se shpreson që Shkupi do t’i sjell fat që ta fitoj Super Kupën e parë Evropiane në karrierën e tij. “Ne do të përpiqemi për të fituar, por është e qartë se ka dallim mes fituesve në Champione League dhe Europa Leagua”, u shpreh Mourinho.
Më herët, skuadra e Manchester Unitedit u prit nga një numër i madh i tifozëve dhe përkrahësve të cilët ishin tubuar para hotelit privat ku është i vendosur delegacioni i skuadrës angleze. Turma e përkrahësve të kësaj skuadre pritën autobusin me brohoritjet e emrave të lojtarëve të tyre të preferuar, ndërkohë që ata ishin nën sigurim të fuqishëm policor.
Manchester United trofeun e Super Kupës Evropiane e pret që 26 vite, pasi që për herë të fundit e fitoi në vitin 1991 në ndeshjen finale kundër skuadrës nga Beogradi, Crvena Zvezda.
Gjithashtu sonte edhe Real Madridi do të adresohet në një konferencë për mediat, si dhe do t’i kryejë stërvitjet në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë”.