Fatjon Cuka
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 23 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Instituti "Yunus Emre" në Tiranë ka organizuar ceremoninë e hapjes së ekspozitës së artistes turke Betül Burnaz me titull “Shtegu i vërtitjes”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo ekspozitë është hapur sot për artdashësit e Tiranës, ku në aktivitetin e organizuar me këtë rast merrnin pjesë përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, të Institutit "Yunus Emre", studiues të artit, etj.
Në një intervistë për AA, artistja Burnaz shprehet se është hera e parë që ajo viziton Shqipërinë dhe ekspozita e parë e saj në Tiranë. Ajo ka një thirrje për artdashësit shqiptarë që ta shohin nga afër këtë ekspozitë, për të zbuluar të "fshehtat" e saj.
"Turqia me Shqipërinë kanë mjaft të përbashkëta mes tyre. Ajo që dëshiroj të ju përcjellë artistëve në Shqipëri është se duhet të shkelin në një terren të fortë, që të jenë të vetëdijshëm për thelbin e tyre. Në këtë mënyrë për artistët është më lehtë të shohin rreth tyre më qartë se çfarë ndodh. Mendoj se do të ishte më e logjikshme që ti ftoja artdashësit që ta zbulojnë vetë këtë gjëegjëzë që fshihet në ekspozitë. Ndodhem për herë parë në Shqipëri dhe do të vizitoj edhe qytete të tjera të vendit. Dëshiroj të kemi mes dy vendeve këtë lloj komunikimi vëllazëror", u shpreh Burnaz.
Ekspozita “Shtegu i vërtitjes” përbëhet nga rreth 30 piktura të teknikës vaj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 7 janar 2017. Sipas kuratorëve të ekspozitës, gjuha gjeometrike e qartë, e përdorur nga artistja vjen thjeshtë dhe me artin e saj ajo shpreh adhurimin dhe besimin ndaj Zotit.
Betül Burnaz lindi në vitin 1978 në Stamboll. Ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Vjenës. Veprat e saj ndodhen në koleksione të shumta private brenda e jashtë Turqisë.